Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka kritikuar Hungarinë për bllokimin e ndihmës shtesë ushtarake për Ukrainën, gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes të bllokut evropian që u mbajt të martën në Bruksel.

Pritorius tha se ai ishte “i zhgënjyer apo i irrituar nga sjellja e miqve tanë hungarezë” për shkak të bllokimit të ndihmës.

Kjo lëvizje vjen pasi Ukraina përfshiu bankën më të madhe hungareze, OTP, në listën e mbështetësve të pushtimit të Rusisë, duke shkaktuar zemërim në Budapest.

Një zëdhënës i Qeverisë hungareze tha të hënën se Hungaria do të refuzonte miratimin e çdo ndihme të re ushtarake deri kur banka OTP të hiqet nga lista.

Budapesti në veçanti po bllokon rritjen e Fondit Evropian të Paqes, një fond ndërqeveritar që rimburson shtetet e BE-së që ofrojnë ndihmë ushtarake për partnerët e bllokut.

Agjencia kombëtare ukrainase për Parandalimin e Korrupsionit në fillim të majit e vendosi bankën OTP në listën e sponsorëve të luftës, duke argumentuar se prania e kësaj banke në Rusi, edhe pas nisjes së pushtimit, qartësisht ishte mbështetje për këtë luftë që Moska nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Pas takimit, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, tha se shpreson që “çdo pengesë të tejkalohet” në mënyrë që të miratohet ndihma për Ukrainën.

Ai tha se shumica e shteteve anëtare të bllokut janë për rritjen e fondit me 3.5 miliardë euro shtesë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: