Teksa situata për drejtimin e Bashkisë së Shkodrës nuk është e qartë juridikisht, Ministria e Financave ka bllokuar veprimet me Thesarin në këtë bashki.

Ky akt i ndërmarrë ka sjellë reagimin e kryebashkiakes në ikje, Voltana Ademi, e cila me anë të një letre publike drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj, dhe të gjithë ndërkombëtarëve në vendin tonë, kërkon të zhbllokohet menjëherë funksionimi i Bashkisë së Shkodrës, pasi është në dëm të qytetarëve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në letrën e saj, drejtuar edhe ambasadorëve në vendin tonë, Voltana Ademi sqaron se janë bllokuar të gjitha procedurat e likuidimit me fondet e veta për shërbime dhe investime.

“Sot ka ndodhur një ngjarje e paprecedent në historinë e administrimit të verëqeverisjes vendore. Ditën e sotme, Dega e Thesarit në Shkodër nuk ka pranuar të kryejë veprimet përkatëse për likuidimin e faturave për shërbimet e Bashkisë Shkodër. Po ashtu, kjo degë nuk ka pranuar as ato procedura për të cilat është autorizuar zv.kryetarja e Bashkisë Shkodër. Me këto veprime të jashtëligjshme nuk po bllokoni kryetaren e Bashkisë Shkodër, por qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre.

Ju keni bllokuar sot rikonstruksionin e rrugës Oblikë-Velinaj-Alimetaj, shërbimin e gjelbërimit, shërbimin e varrezave, shërbimet për mirëmbajtjen e stadiumit “Loro Borçi”, e të tjera punë në proces, si projektimet dhe vijimin e investimeve me fondet e veta të Bashkisë Shkodër, pasi qeveria e ka “nxjerrë nga harta” e investimeve Shkodrën prej gjashtë vitesh”, shkruan ndër të tjera Ademi.

Ademi kërkon një zhbllokim të shpejtë të kësaj situatë për qeverisjen vendore në Shqipëri, që sipas saj, është e paprecedentë. Kryebashkiakia në ikje publikon edhe komunikimin që Drejtoria e Thesarit ka bërë me të përmes emailit, ku nënvizohej mbarimi i mandatit të kryetares këtë të martë, datë 20 gusht ora 16:30, dhe se veprimet në ditët e mëtejshme do të zgjidheshin nga këshilli bashkiak. Në përgjigje, Ademi thekson se ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.

Letra e Ademit vjen vetëm një ditë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, mes përplasjeve të forta të protestuesve opozitarë dhe policisë, pasi opozita e cilëson këtë këshill të paligjshëm dhe votimet e 30qershorit nul.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb