Nga: ERJOLA JATA*
TIRANE – Kompanitë e huaja shfaqin interes konkret për të kërkuar naftë në Shqipëri. Një numër i madh i tyre, kryesisht nga perëndimi kanë dorëzuar pranë AKBN aplikimet, ndërkohë që ky institucion do të kërkojë shtyrjen e afatit që të gjitha shoqëritë të dorëzojnë dosjet e tyre.

“Janë shpallur disa blloqe të tjera kërkimi dhe dedline për dorëzimin e aplikimeve ka qenë data 15 Tetor ,ka pasur shumë kërkesa nga kompani dhe shumë të tjera janë duke studiuar të dhënat gjeologjike dhe gjeofizike që ne kemi për këto blloqe. Duke qenë se numri i këtyre kompanive është shumë i lartë ne do ti propozojmë ministrit të energjisë që të shikojë mundësinë e shtyrjes së kësaj date për të përfshirë sa më shumë kompani të interesuara në këtë garë që do të mbahet së shpejti. Mund të ketë mbi 20 kompani që kanë ardhur në AKBN dhe kanë kërkuar të dhënat gjeologjike dhe gjeofizike pasi kjo është hapi I parë që ata bëjnë për të parë se çfarë mund të jenë të dhënat reale të këtyre blloqeve dhe më tej vendosin nëse kanë një interes për të filluar një marrëveshje kërkimi apo jo.”- deklaroi drejtori i AKBN-së, Dale Dervishi.

Ndërkaq bashkëpunimi ka evoluar me dy kompani me emër në botë, SHELL dhe NAVITAS të cilat janë afër nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ne kemi filluar negociatat me të dyja kompanitë që u shpallën si fituese për dy blloqet e lira të kërkimit pra me kompaninë SHELL dhe NAVITAS me të dyja këto kemi filluar seancat e para të negocimit. Ne I kemi dërguar një propozim tonin për një përmirësim të ofertës që kompanitë dorëzuan fillimisht. Me kompaninë NAVITAS kemi pasur disa takime për të diskutuar termat e përgjithshme të marrëveshjes, ndërkohë me kompaninë SHELL jemi në vijim të procesit të negocimit dhe shpresojmë që ta finalizojmë sa më shpejt këtë fazë të parë, pasi më vonë do të negociojmë edhe vetë kontratën.”- tha Dervishi.

Në lidhje me ofertat që kanë bërë kompanitë Dervishi shprehet se ato kanë qenë shumë më të mira seç Agjencia e Kombëtare e Burimeve Natyrore priste, por çdo gjë mund të ndryshojë, pasi AKBN është ende në negociata me kompanitë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: