Nga: ARIAN GALDINI*
Është bërë pothuajse e rëndomtë që, sa herë dikush vdes në këtë vendëzin tonë të vogël, të gjithë bëjnë garë për të gjetur fjalët më të mira për ta përshkruar atë. Nuk ka rëndësi ç’ka bërë, si ka qenë, nëse ka qenë njeri i vlerë apo vetë ligësia! Pas vdekjes, ndërsa u bëjmë funeralin, ne nxitojmë t’i mbajmë gjallë këtu mes nesh të gjithë, të mirë e të ligj, me fjalë të mira e të shtira.
Jemi shoqëri që nuk e ndajmë të mirën nga e keqja, ndaj edhe bashkëjetojmë shpesh me të vdekurën e ligë që duhej kallur, e sikterisim të gjallën e mirë që nuk e besojmë.
Ben Blushi kësaj radhe ka zgjedhur të na sfidojë me të kundërtën e kulturës sonë.
Në fjalimin e tij për funeralin e imagjinuar të Rilindjes, ai ia ka qëndisur të gjitha të këqijat për të cilat unë, njëlloj si Blushi, mendoj se ka pasur e ende ka Rilindja.
Gjuha e tij është romantike, e bukur deri edhe patetike, e kjo është kaq natyrale përderisa bëhet fjalë për një fjalim funerali. Nuk mund të flasësh për përcjelljen dhe kalljen e dikujt në banesën e fundit pa emocion, madje edhe kur ky emocion ngrihet mbi kujtimet e ligshta dhe mendimet e këqija për të ndjerin.
Më kujtohet komedia e Andon Zako Çajupit, kur Adham Uti i kërkonte gazetarit Vurko që t’i bënte në gazetën “Rrufeja” një shkrim nga ata që bëheshin për njerëzit pasi vdisnin.
Gazetari Vurko me këtë jetonte: shkruante fjalë të mira për parinë e qytetit, në mënyrë që Skëndo Beu t’i kishte punët në rregull me familjarët e tyre, por edhe vetë Vurko të fitonte ndonjë napolon.
Vurko kurrë nuk shante askënd. Përndryshe nuk do të fitonte asnjë dyshkë dhe Skëndo Beu do ta hiqte nga puna. Tek e fundit, Vurko thjesht një gazetar ishte!
Ndërsa Ben Blushi është krejt tjetër gjë.
Shoqëria shqiptare ka pritshmëri të mëdha nga njerëz të votëbesuar e mendjendritur si Ben Blushi.
Nëse fjalimi imagjinar për funeralin e Rilindjes do të ishte thjesht një akt kundërkulturë i Ben Blushit, pra duke ia përmendur të këqijat Rilindjes së ndjerë, krejt lirshëm, harresa do ta mbulonte në pak ditë këtë fjalim dhe vetë shkruesin.
Që fjalimi të jetojë dhe Rilindja të përcillet, Ben Blushi duhet të bëhet fjalimmbajtësi real i funeralit të Rilindjes. Por që kjo të ndodhë, funerali nuk duhet të jetë imagjinar.
Sepse nëse vdekja e Rilindjes ka ndodhur vetëm në mendjen e Blushit, askush nuk e pengon Rilindjen të vazhdojë të zotërojë mendjet dhe jetët e të tjerëve jashtë Blushit, sidomos të socialistëve të pushtuar.
Fjalimi i Blushit do të bëhet i gjallë vetëm nëse do të shërbejë si pararendës i një dueli të pashmangshëm mes Akilit dhe Hektorit. Blushi nuk ka zgjidhje tjetër. Ose do të përballet me Akilin, tani që ia ka treguar se e di se ku e ka pikën e dobët, ose do të bëhet Homeri që do të na tregojë historinë e PS-së.
Dueli Rama-Blushi, nuk ka pse të jetë epik, e kësisoj nuk ka pse të ketë një Hektor të humbur.
Sidoqoftë, Blushi, me fjalimin e tij për funeralin imagjinar të Rilindjes, e ka parë veten të bëhet Hektori, pra princi i socialistëve të rrethuar nga krenaristët dhe kanabistët.
Këtë që e ka parë brenda tij dhe na e ka shkruar në fjalim, Blushit i mbetet veçse të na e dëshmojë duke ndërmarrë betejën e vërtetë, aty ku Rilindja ose përcillet, ose të përcjell.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: