Nga: BEN BLUSHI*TIRANE-Javën e kaluar në këtë Par lament, një koleg që unë e respektoj shumë për përkushtimin e tij, Eduart Bejko, më bëri një pyetje të cilës sot (dje) dua t’i përgjigjem. ‘Meqë kritikon, çfarë alternative ke ti që kritikon?’ më pyeti Eduarti. Duke pasur parasysh që kritikat e mia i janë drejtuar kryesisht dështimit të qeverisë në luftën kundër varfërisë, dua të rri në këtë temë duke i thënë Eduartit se çfarë mendoj dhe çfarë mund të bëjmë me shpresën se edhe ai është pro meje. Unë mendoj se nuk kemi bërë sa duhet për të luftuar varfërinë. Varfëria është kërcënimi më i madh që kemi sot. Asnjë ushtri, asnjë epidemi, asnjë ideologji dhe asnjë fuqi, as turqit, as grekët, as rusët, as kinezët dhe as gjermanët nuk na rrezikojnë sot më shumë se varfëria dhe injoranca që pjell ajo. Imagjino Eduart, një vend që ka 400 mijë të mjerë, pra njerëz që jetojnë me më pak se dy mijë lekë në ditë.

Imagjino një familje me katër vetë, të cilët marrin afërsisht 50 mijë lekë të vjetra në muaj ose 40 dollarë afërsisht, pra 10 dollarë për person në muaj. Imagjino që ndoshta shumë prej nesh në këtë sallë i kanë harxhuar më shumë se 10 dollarë sot në kafen e parlamentit. Imagjino çfarë poshtërimi ka babai i atyre fëmijëve që nuk mund të çojë dot në shtëpi më shumë se 12 mijë lekë në muaj për secilin nga fëmijët e vet, që do thotë se nuk çon dot më shumë se 400 të vjetra lekë në ditë. Imagjino të jetosh me 400 lekë të vjetra në ditë çfarë mund të bëhesh nëse je fëmijë dhe çfarë mund të bësh nëse je baba? Imagjino pra sa është kosto e dinjitetit në Shqipëri për 400 mijë prej nesh. 400 lekë në ditë për 400 mijë shqiptarë. Ja pra pse them se po e kthejmë varfërinë në një institucion me ndihmën e shtetit. Unë besoj Eduart se ne mund të bëjmë më shumë. Ne mund të japim më shumë dhe ja çfarë propozoj, duke shpresuar se edhe ti je dakord me mua. Unë do thosha që ne duhet të ndërtojmë një Paketë Dinjiteti për të varfërit. Një Paketë Dinjiteti që i garanton çdo të varfëri ushqimin e nevojshëm, pra kaloritë e duhura, i garanton vaksinimin për çdo fëmijë dhe ilaçet e domosdoshme, pasi kosto e shëndetit të tyre nesër do të jetë trefish më e lartë për shoqërinë, i garanton libra falas dhe padyshim energjinë falas deri në një kufi konsumi minimal. A mund t’i kërkojmë ne dikujt që jeton me 400 lekë në ditë të paguajë librat, të paguajë energjinë dhe të mos cenojë rendin publik ditën që fëmijët e tij nuk kanë bukë? Unë mendoj se jo. Edhe ne të dy do ishim kërcënim për sigurinë e përbashkët nëse nuk do kishim bukë për fëmijët në shtëpi. Pa dyshim që nëse do kisha 400 lekë në ditë, do dilja në protestë për të mos e paguar llambën që i duhet fëmijëve të mi për të mësuar natën. Prandaj besoj se ne duhet tua paguajmë energjinë jetike, pra dritën dhe televizorin të varfërve dhe të mjerëve dhe po ashtu, duhet tua dyfishojmë patjetër pagesën e solidaritetit. Asnjë fëmijë në Shqipëri nuk duhet të jetojë me 400 lekë të vjetra në ditë. Ne mund ta dyfishojmë atë që sot dhe për këdo që do më thotë se nga do dalin këto para, po jua them: nga mosrealizimi në të ardhura, nga administrimi më i mirë, nga ulja e shpenzimeve qeveritare, nga nevoja për solidaritet për një shoqëri homogjene, e cila nuk persekuton askënd për shkak të pamundësisë për të gjetur një punë. Ne mund ta dyfishojmë sot ndihmën e ekonomike, sepse që atë ditë shoqëria do ndjehej më e drejtë, do kishte më shumë barazi dhe natyrisht më shumë konsum. Nuk mund të ketë familje që përfiton më pak se 100 mijë lekë në muaj ndihmë ekonomike. Nga dalin këto para? Do e them. A e di Eduart që vetëm në 3 muajt e fundit mosrealizimi në të ardhura është afro 50 milionë dollarë. Kjo shifër është plotësisht e mjaftueshme jo vetëm për të dyfishuar ndihmën ekonomike, jo vetëm për të financuar paketën e dinjitetit për 400 mijë të varfër, por edhe për më shumë se kaq: ajo mund të ishte direkt ndikim në sistemin e pagave dhe pensioneve në Shqipëri.

Dhe po flasim vetëm për humbjet e tre muajve. Nëse shteti humb nga parashikimi 200 milionë dollarë në vit, atëherë ja ku janë paratë që na duhen për të rritur ndihmën, për të shtuar pensionet dhe për të pasur një sistem më të mirë pagash pa shtuar taksat. Sepse janë në këtë vend 500 mijë pensionistë, të cilët po vdesin pa pasur mundësi të ikin. Dje (pardje) po lexoja se ata kanë nisur t’i marrin ilaçet me listë, çka është e padrejtë se vetëm evazioni që e tolerojmë në tatime dhe dogana mjafton për t’i garantuar një pleqëri me dinjitet. Ne nuk mund t’i bëjmë shqiptarët të pasur, por ne mund t’i nxjerrim ata nga poshtërimi dhe rreziku i humbjes së dinjitetit njerëzor që vjen nga mjerimi. A nuk je dakord me mua deri këtu Eduart? A ka këtu diçka të pamundur që nuk shkon? A po kërkoj ndonjë luks? Unë mendoj se jo. Nuk kërkoj luks, por kërkoj dinjitet për gjysmën e shqiptarëve, sepse dinjiteti i tyre është edhe dinjiteti im. Thënë këto, dua të them se nëse ka diçka që mund dhe duhet bërë menjëherë është rritja e pagës minimale në Shqipëri. Nuk mund më të ketë sistem pagash me këtë minimum page. Dikush beson se ulja e pagës minimale ndihmon që Shqipëria të jetë më konkurrente, të thithë më shumë investime të huaja, unë besoj se jo. Kjo nuk është provuar. Vitin e kaluar ishim vendi me më pak investime të huaja në rajon. Paga minimale mund dhe duhet të jetë dyfish më e lartë nga sa është sot jo vetëm sepse është plotësisht e domosdoshme, por edhe për të shmangur fasonizmin e industrisë dhe ekonomisë sonë. Pagat minimale mund të dyfishohen duke rishikuar krejtësisht gjithë sistemin e pagave në vend. Unë mendoj Eduart se ne duhet të bëjmë më shumë për shtresën e varfër dhe për shtresën e mesme. Koha tregoi se nuk kemi bërë sa duhet për ta. A e di që sot taksohet më shumë një ekspert që punon në bankë se vetë pronari i bankës? Taksohet më shumë një gazetar se pronari i vet? Taksohet më shumë administratori i kompanisë se pronari? Taksohet më shumë një djalë dhe një vajzë që punon në administratën e lartë se një biznesmen? Taksohet pra, më shumë ai që punon se ai që bën biznes. Taksojmë më shumë punën se kapitalin Eduart dhe unë nuk besoj se ti je dakord me këtë.

Ne taksojmë mendjen më shumë se çdo vend i varfër, kur ajo që na duhet është mendja dhe vetëm mendja, sepse ne kemi gjithçka tjetër përveç mendjes, kemi diell, kemi ujë, kemi det, kemi naftë, kemi mal dhe shumë pasuri natyrore të mjaftueshme për të jetuar normalisht. Por përveçse i favorizojmë ata që shfrytëzojnë keq pasuritë tona, i taksojmë edhe më pak se mendjet e ndritura dhe kështu i favorizojmë dy herë. Mendja nuk mund të taksohet kurrë si pasuria. Sepse pasuria nuk e bën mendjen, por mendja e bën pasurinë. Kjo pra është çështja. Puna nuk mund të taksohet më shumë se kapitali dhe kushdo që e ka bërë këtë skemë taksash e ka pasur gabim dhe do ta them pse. E di Eduart që kush punon dhe fiton një rrogë mbi 1000 euro taksohet më shumë se ai që fiton 1 milion euro? Kush fiton 1000 euro nga puna në Shqipëri paguan 23 për qind taksë dhe kush fiton një milion euro paguan 15 për qind taksë. A është e drejtë kjo? Jo, kjo është e padrejtë. Ky është deformim progresiv i taksës progresive. Dhe asgjë nuk e rrëzon më shumë një parim se sa shkelja e parimit. Asgjë nuk e shkatërron më shumë një model se sa prishja e modelit. Varfëria është gjithmonë e padrejtë, por ajo është e përballueshme në barazi dhe pasuria është gjithmonë e drejtë, por ajo është e papranueshme kur krijohet nga favorizimi. Prandaj them se duhet dhe mund të bëjmë më shumë për shtresën e varfër dhe të mesme, sepse ata janë garancia për një shoqëri harmonike që garanton paqe dhe progres. Nëse të varfërit jetojnë më mirë, të pasurit fitojnë më shumë. Nëse të varfërit bëhen të mjerë dhe konsumojnë më pak, të pasurit humbin më shumë. Unë dua që shoqëria të ketë më shumë të pasur, por nuk mund të pranoj që të ketë kaq shumë të varfër. Duke ndihmuar të varfërit ne ndihmojmë edhe të pasurit, ne u japim më shumë besim shqiptarëve se garantojmë të drejtën e tyre për të jetuar normalisht.

Ne duhet të bindim të varfërit që po ikin nga 600 vetë në ditë siç thoshte ambasadori gjerman se ne jemi gati të bëjmë çdo sakrificë për të bashkëjetuar me ta. Shoqëria jonë duhet të paguajë çmimin e bashkëjetesës me të varfërit. Ky është çmimi i solidaritetit. Si mund të pranojmë ne që shoqëritë europiane paguajnë më shumë në përqindje për të varfërit tanë sesa bëjmë ne vetë? Shqipëria sot ka dy rrugë. Ose të bashkëjetojmë metëvarfërit, ose ta falimentojmë këtë vend. Duhet pra të ndryshojmë metodën se si i marrim taksat dhe ku i çojmë ato. Si i shpërndajmë taksat që mbledhim dhe kujt ia mbledhim? Duhet të vendosim me kë dhe për kë do jemi Eduart? Unë jam me të varfërit dhe me ata që e meritojnë, sepse besoj se botën e ka çuar përpara barazia dhe jo lakmia. Unë e kam bërë zgjedhjen time dhe shpresoj që ti do jesh me mua.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: