TIRANË- Deputeti socialist, Ben Blushi ka kërkuar sot në parlament krijimin e një administrate diasporike. Gjatë diskutimit të ligjit “Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, Blushi tha se vetëm një qeverisje e mirë do të afrojë emigrantët që ata të investojnë në vend dhe të ndalojnë zbrazjen e Shqipërisë. Ndaj sipas tij duhet të ketë një administratë shqiptare që pranon ata që punojnë në administratë, madje edhe për reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Emigrantët e kanë fuqizuar ekonominë e vendit tonë, por jo vetëm kaq. Ata i kanë dhënë shpresë këtij vendi. Pyetja është se përse shqiptarët ikin në emigracion? Çfarë i shtyn të ikin? Çfarë u mungon? Ajo që u ka munguar është shpresa për një qeverisje më të mirë dhe më të drejtë. Më pak punë, më pak të ardhura dhe shumë më shumë varfëri. Kukësi qyteti simbol i zbrazjes së Shqipërisë. Kur shkon aty kupton se çfarë i ka bërë qeverisja e keqe për 20 vjet. Kur shkon aty përshtypja që të krijohet Shqipëria si një burg, si një kafaz për të varfrit. Emigrantët nuk na duhen vetëm për vota. Ne duhet t’i garantojmë të drejtën e votës por ata na duhen në fakt për të ndryshuar Shqipërinë. Ankohemi se ka vende pune por nuk ka punëtorë të kualifikuar. E di se kush janë punëtorët më të kualifikuar, emigrantët. Jeta i ka detyruar të bëjnë një shkollë emigracioni që i ka pasuruar. Emigracioni shkolla më e mirë. Çështja jonë strategjike si t’i bindim këta njerëz të rikthehen, të investojnë. Ka mundësi në një masë dërrmuese të ndodhë kjo. Nëse 60% shqiptarë duan të ikin, 70% e emigrantëve duan të kthehen. Nëse qeveriset më mirë ata kanë arsye të kthehen. Unë besoj se ka ardhur koha më shumë se kurrë për një administratë diasporike. Një administratë shqiptare që pranon ata që punojnë në diasporë. Djem e vajza që kthehen”, deklaroi Blushi.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Blushi shprehu dyshimet se kjo reformë do pastrojë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Ai tha se vetëm djem e vajza të shkolluar jashtë mund të sjellin drejtësi në Shqipëri.

“Është hapur debati për reformën në drejtësi. Kam dyshim se kjo reformë do arrijë të pastrojë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Kjo do ishte mundësi e mirë që shqiptarë të shkolluar jashtë të punësohen në drejtësi”, tha ai.

E për Blushin shembulli më i mirë se çfarë mund të bëjnë shqiptarët në diasporë janë lojtarët e Kombëtares.

“Dua t’i jap parlamentit sot shembullin më të mirë se çfarë fuqie ka diaspora nëse thërritet nën armë. E di se cili është rasti? Kombëtarja e Shqipërisë është rasti spektakolar që tregon se si djem të talentuar që punojnë jashtë arritën t’i japin Shqipërisë një arritje sportive. Ajo është arritje menaxheriale. U menaxhuan si duhet. Ky është sukses se si mund të menaxhohet një burim njerëzor që ne se kemi por mund ta thërrasim. Diaspora ka mundësi të ndalojë zbrazjen e Shqipërisë”, tha Blushi.

Ai shprehu optimizmin se ky ligj do krijojë një raport të mirë mes Shqipërisë dhe diasporës.

“Shpresoj që ky ligj të jetë një hap i parë për të inkurajuar një raport më të mirë mes Shqipërisë dhe diasporës si e vetmja mundësi për të ndryshuar Shqipërinë për ta bërë më të madhe dhe më të drejtë se ç’është sot”, deklaroi Blushi.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: