TIRANE– Partia Demokratike nis aksionin ligjor për të mbështetur maturantët të cilët ndonëse me mesatare të lartë, nuk kanë rezultuar fitues në universitet. Për këtë çështje PD, ka hapur edhe një portal online, “Padrejtësia ndaj maturantëve, trego rastin tënd”, që synon t’i vijë në ndihmë maturantëve.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Arsimit në PD, Luçiano Boçi, tha se kjo forcë politike do të ofrojë mbështetje juridike për çdo ankesë të depozituar.

Sipas Boçit, PD do të jetë pranë çdo maturanti që ka nevojë për përkrahje ligjore, por ata duhet të paraqesin dokumentet pranë kësaj force politike.

DEKLARATA E KREUT TË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT, LUÇIANO BOÇI
Po ndjekim hap pas hapi zgjidhjen e padrejtësisë që i është bërë maturantëve.
Në përgjigje të qindra denoncimeve pranë Partisë Demokratike dhe kërkesave konkrete të tyre dhe familjarëve, Partia Demokratike do të japë mbështetje të plotë juridike për çdo ankesë të depozituar.
Cilido maturant, të cilit i nevojitet përkrahje ligjore për rastin e tij, do të gjejë pranë Partisë Demokratike ekspertët e duhur për dërgimin e çështjes në gjykatë.

I bëjmë thirrje çdo maturanti që të paraqesë dokumentacionin përkatës pranë Partisë Demokratike, ose në portalin që është hapur për maturantët “Padrejtësia ndaj maturantëve, trego rastin tënd”.

Po kështu po shqyrtojmë dhe përgatisim edhe hapa të tjerë juridikë dhe kushtetues.

Duke kuptuar kaosin dhe ankthin e kësaj situate, ju sigurojmë që vetëm përpjekja jonë e përbashkët, do të sjellë e vendosë drejtësi dhe meritokraci për maturantët.
Ti sprapsim së bashku hajdutët e të ardhmes së rinisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: