Ish-deputeti i PD Luciano Boci ka vizituar gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, i cili ka pësuar dëmtime të shumta nga tërmeti.

Boci thekson se dëmtimet në godinën e gjimnazin dëshmojnë korrupsionin në Bashkitë Tiranë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i Luciano Bocit:

Dëmtimet e rënda nga tërmeti në Gjimnazin Sami Frashëri edhe pas restaurimit pak muaj më parë, dëshmojnë korrupsionin e thellë të Bashkisë së Tiranës.

Rindërtimi me urgjencë është një krim korruptiv ndërtimor që po përpiqet të fshihet, pa transparencë, pa dokumentacion, çertifikim, kolaudim dhe as projekt inxhinierik

DEKLARATË LUÇIANO BOÇI, NGA GJIMNAZI SAMI FRASHËRI

Pushteti lokal dhe pushteti qëndror i ka bërë nxënësve të shkollës Sami Frashëri, situatën e shihni vetë, e keni në pamjet tuaja. Sikurse ka braktisur këta nxënës, kështu ka braktisur me qindra të tjerë nxënës në zona të tjera të prekura nga tërmeti, në shkollat e dëmtuara ku ende nuk është vënë dorë dhe nuk ka inspektim të plotë të dëmeve. Po kështu janë braktisur me mijëra qytetarë sot të lënë mes katër rrugëve, në mes të shiut dhe në udhëkryqin e fatit të tyre të mbrapshtë pa asnjë mbështetje nga kjo qeverisje.

Siç e shihni, shkollës i është vënë dryni. Në fakt duhej t’i ishte vënë shiriti i vendit të krimit, ky është një krim korruptiv ndërtimor që po përpiqet të fshihet në të gjitha format dhe mënyrat madje edhe shkarkimi i drejtoreshës militante është bërë për këtë arsye. Të mos harrojmë se kjo shkollë është rikonstruktuar para një viti me një bujë të madhe, me tam-tame dhe me zhurmë, ku vetë kryetari i Bashkisë ka garantuar nxënësit dhe prindërit për sigurinë e ambienteve.

Por situata mbrapa flet ndryshe. Nuk ka pasur dhe nuk ka siguri, as për nxënësit dhe as për prindërit.

Madje mungon edhe transparenca për të gjitha dokumentat që duhet të paraqesë Bashkia e Tiranës për çertifikimin, kolaudimin, për projektin inxhinierik dhe të drejtën e ndërhyrjeve në elementë mbështetës kryesorë të ndërtesës e cila sot është e rrënuar, e dëmtuar dhe e pafrekuentuar nga nxënësit dhe mësuesit.

Ju e pasqyroni, fasada e propagandës nuk mund të mbulohet sepse realiteti është ulëritës dhe nuk e mbulon as Rama me ecejaket dhe batutat e tij, me talljet që i bën qytetarëve dhe mësuesve, nuk e mbulon as Veliaj që fshihet pas gishtit të propagandës. Në vend që të fshihet pas gishtit së propagandës do ta ftoja të vinte këtu, t’u japë përgjigje pyetjeve që kush mban përgjegjësi në shkollën Sami Frashëri që gjoja është rikonstruktuar.

Kush mban përgjegjësi për shkollat e dëmtuara në Tiranë, Emin Duraku, Petro Nini etj, dhe të japë përgjigje pyetjes se si u procedua për të nxjerrë firmën fituese që bën rikonstruksionin, t’i japë përgjigje pyetjes, sa para janë harxhuar për rikonstruksion dhe të japë përgjigje pyetjes, se a mban Bashkia përgjegjësi për situatën e shkaktuar në këtë shkollë dhe shkolla të tjera.

Këtë duhet të bëjë Kryetari i Bashkisë dhe jo të përpiqet të mbulojë gjurmët e krimit korruptiv dhe ndërtimor që kemi pas nesh. Boll me propagandë, përgjegjësitë le ti marrin ata që kanë kryer krimin, kanë bërë korrupsionin dhe të japin llogari përpara qytetarëve.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb