Ta mendoje një skenë të tillë te Skënderbeu deri përpara dy sezonesh, ishte një herezi! Kjo sepse klubi korçar ishte modeli i vërtetë i suksesit të futbollit shqiptar. Por më pas, beteja e ashpër me UEFA-n, që vulosi damkën e trukimeve bardhekuqtë, përjashtimi 10-vjeçar nga Kupat e Europës, gjoba 1 milion euro dhe verdkiti i KAS-it, kanë bërë që gjërat të shkojnë në kahun e kundër.

Lojtarët e Skënderbeut kanë bojkotuar seancën e fundit stërvitore pasi nuk paguhen prej muajsh! Lojtarët janë paraqitur si gjithnjë në stadium, por trajneri Ilir Daja ka mbetur i befasuar kur është njohur me vendimin e tyre. Futbollistët kanë qenë të veshur me uniformat e tyre të stërvitjes, por nuk kanë denjuar fare të ndërrohen.


Trajneri Daja është përpjekur të gjejë një mënyrë për të qetësuar lojtarët e mërzitur, por ka qenë e kotë. Ata janë larguar duke bërë që edhe Skënderbeu të futet në listën e klubeve me probleme në pagesën e lojtarëve. Mbetet për t’u parë se si do ta zgjidhë presidenti Takaj këtë situatë, teksa kjo sjellje e lojtarëve është padyshim një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj tij.


(Balkanweb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb