Deputeti i PS, Fidel Ylli ka thënë në rubrikën ”Opinion” në News24 se ligji për sportet i miratuar në Kuvend është në përputhje me standardet europiane dhe është konsultuar me të gjitha grupet e interesit.

Por ndërkohë Superliga me 10 ekipet e saj ka shpallur bojkotin pasi ka shfaqur pakënaqësi ndaj ligjit të sportit.

Ylli thotë se kërkesat apo vërejtjet e klubit nuk kanë lidhje me sportin, por janë për financimin dhe sponsorizimin.

Sipas tij edhe qeveria merret me këto kërkesa, por nuk i përkasin ligjit për sportin.

”Kam dosjen me e-maile ku jemi konsultuar. Ne jemi në dispozicion edhe të anëtarëve të futbollit. Është ligj shumë i mirë, në përputhje me ligjet europiane. Sporti është diplomaci, kjo i përket dhe ndeshjes së sportit. Sporti largon të rinjtë nga veset, bashkon popujt. Ky ligj ka marrë miratimin e të gjithave grupeve të interesit. Në grupin e punës janë bërë të gjitha vërejtjet. Por vërejtjet e klubeve s’kanë lidhje me ligjin e sportit, por për financimin. Pra janë ligje për sponsorizimin që nuk kanë lidhje me sportin. Nuk ka si të përfshihen në ligjin e sportit, ligje që s’kanë lidhje me sportin. Kanë kërkesa specifike që i adresohen qeverisë, por jo këtij ligji të sportit. Në ligjin e sportit FSHF kishte vërejtje për KAS. Kishte momente që nuk e njihnin, pasi kur bëheshin ankesat apo hapjet e gjyqeve, shkonin në Lozanë. Por kishte shumë shpenzime. Dhe i thashmë FSHF-së që do e sjellin Lozanën këtu. Dhe ata na bënë vërejtjet tona.”- tha Ylli.

Ndër të tjera Fidel Ylli ka thënë se duhet me patjetër që klubet mos jenë në emrin e Bashkive, por që të jenë private ose shoqata. Sipas tij Bashkia ka detyrë për të subvencionuar me grante apo projekte por jo të mbajë ekipe futbolli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb