Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ka pritur që Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ta drejtojë seancën ku u votua qeveria në krye me Avdullah Hotin.

“Është një vendim dhe përcaktim i saj. Edhe pse nuk pranoi, seanca u mbajt. E vlerësoj drejtimin e seancës sot nga Kujtim Shala si nënkryetar i Kuvendit. Kam pritur që Vjosa Osmani si anëtare dhe nënkryetare e LDK-së do ta drejtojë këtë seancë dhe do ta përkrahë zgjedhjen e Avdullah Hotit, por nuk ndodhi. Nuk shoh arsye që dikush që është anëtar i LDK-së të mos e përkrahë familjen e vet në çastet jetike të saj, sepse edhe ky moment ka qenë jetik për LDK-në dhe Kosovë”, ka thënë i pari i LDK’së, derisa ka paralajmëruar se kjo çështje do të diskutohet në parti.

“Ne do të diskutojmë në Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesi të LDK-së. Nuk janë çështje që mund t’i anashkalojmë, sepse janë sjellje që nuk janë në harmoni me atë çfarë Statuti i LDK-së thotë për çdo anëtar të LDK-së. Besoj se shpejti do të marrim vendim për këtë. Sot kemi një rast të veçantë dhe nuk dua ta vë në hije duke u marrë me Vjosa Osmanin dhe ata që nuk kanë votuar sot”, tha Mustafa.

I pyetur se a do të jetë Vjosa Osmani në selinë e LDK-së ku po festohet për qeverinë e re që do të drejtohet nga Avdullah Hoti, Mustafa ka thënë se dyshon se do të ndodhë një gjë e tillë.
“Meqë Vjosa Osmani nuk ishte në Kuvend, dyshoj që do të jetë edhe këtu. Por, këtu janë ata që e duan LDK-në”, ka thënë Mustafa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb