BOLIVI – Zv/ministri i brendshëm i Bolivisë, Rodolfo Illanes, është rrahur për vdekje nga minatorët, të cilët janë revoltuar pasi kërkojnë më shumë hapësira koncesionare minerale, me norma më pak të kufizuara nga shteti në respekt të ambientit, që do t’i lejojë të punojnë për ndërmarrje private dhe të kenë përfaqësi në sindikata.

Protesta e minatorëve është shndërruar në një luftë mes tyre dhe forcave të rendit. Gjatë përleshjeve me policinë 2 minatorë kanë humbur jetën.

Për të nisur bisedimet me minatorët, qeveria e Bolivisë kishte dërguar në provincën Panduro zv/ministrin Rodolfo Illanes, i cili është rrahur barbarisht nga protestuesit deri në vdekje.

Ministri i Brendshëm Carlos Romero, e ka cilësuar ngjarjen si një “vrasje brutale dhe burracake”, dhe ka kërkuar që minatorët të kthejnë trupin e pajetë të 56-vjeçarit.

Në një komunikatë, ministri i Mbrojtjes Reymi Fereira tha se janë bërë rreth 100-120 arrestime, duke shtuar që janë identifikuar personat që kanë vrarë “në mënyrë të dhunshme” zv/ministrin Illanes.

“Ky aksion nuk mund të qëndrojë pa u ndëshkuar dhe të gjithë duhet të çohen përpara drejtësisë.”- deklaroi Fereira.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb