“Hotel Britania” duhet të marrë fund për të penguar migrantët nga “pazaret e azilit”, deklaroi ministri britanik i imigracionit Robert Jenrick.

Pas deklaratave të forta të Sekretares së Brendshme Suella Braverman kundër emigrantëve, ka qenë radha e ministrit të Emigracionit, Robert Jenrick për të zbuluar skemat që Home Office do të përdorë për të frenuar fluksin.

Jenrick propozoi ndërrimin e dhomave luksoze me hapësira ‘të thjeshta, funksionale’ në banesat e braktisura të studentëve, parqet jofunksionale të pushimeve dhe madje edhe anijet e lundrimit me buxhet.

Ai tha për The Sunday Telegraph se akomodimi bazë mund të heqë ‘faktorin tërheqës’ që po inkurajon kaq shumë emigrantë të rrezikojnë jetën e tyre duke kërkuar një të ardhme më të mirë në MB.

Ai pretendon se “po abuzohet me bujarinë e kombit anglez ndaj refugjatëve nga kërcënuesit e radhës”, duke vënë më shumë presion mbi një sistem emigracioni që tashmë është në kolaps.

Komentet e tij vijnë pasi numri i emigrantëve që kaluan Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit ka të ngjarë të kalojë 40,000, me dhjetëra të tjerë që kanë mbërritur të shtunën.

Totali i përkohshëm i mbërritjeve për vitin 2022 kishte qenë 39,913 përpara fundjavës, me kalimet e mëtejshme që mund të vendosin një rekord historik në shifra.

“Britania do të jetë e dhembshur, por jo naive teksa ecën përpara”, theksoi Jenrick.

Ministri i emigracionit fajësoi një “mungesë kronike të akomodimit të pranueshëm për numrat rekord të emigrantëve” dhe argumentoi se Qeveria nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të prokuronte hotele të shtrenjta dhe shpesh të papërshtatshme, duke ngarkuar taksapaguesit me një kosto të papranueshme.

“Destiliteti njerëzor duhet të shoqërohet me një sens të shëndoshë kokëfortë: emigrantët e paligjshëm nuk kanë të drejtë për hotele luksoze. Kushtet në Mbretërinë e Bashkuar janë pothuajse gjithmonë më të mira se në vendet fqinje, gjë që ndihmon për të shpjeguar pse Britania e Madhe është një destinacion i zgjedhur për emigrantët ekonomikë në kontinentin e kthyer në “pazar azili”. “Hotel Britania” duhet të përfundojë dhe të zëvendësohet me akomodim të thjeshtë funksional që nuk krijon një faktor shtesë tërheqës”, nënvizoi ai.

Duke paraqitur planet e qeverisë për të përballuar krizën e gomoneve në Kanal, Jenrick tha se një marrëdhënie e ngushtë me francezët do të ishte jetike për të penguar ata që përpiqen të përfitojnë nga ky proces.

“Me një koordinim më të madh midis agjencive tona respektive të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, ne mund të çmontojmë bandat kriminale që organizojnë këto kalime dhe të vendosim rendin e sigurinë si në brigjet tona ashtu edhe në Francën veriore”, shtoi ai.

Qeveria britanike ditët e fundit ka thënë se një marrëveshje e re me Francën, që mendohet të jetë me vlerë rreth 80 milionë paund, është në fazën përfundimtare.

Kjo pritet të lejojë oficerët e Forcave Kufitare britanike të vëzhgojnë operacionet franceze që bashkërendojnë kërkimet në plazh për gomonet që nisen në Kanal dhe gjuetinë për bandat e trafikimit të njerëzve.
Ministri i imigracionit u zotua gjithashtu të shikojë zgjerimin e skemës së diskutueshme të dëbimit nga Ruanda, e prezantuar nga ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel.

Pavarësisht nga fakti që lëvizja për të deportuar emigrantët mijëra milje larg në Afrikën Lindore nuk ka parë ende një fluturim të vetëm, Jenrick tha se marrëveshje të ngjashme do të hulumtohen me vende të tjera, pasi ai këmbënguli që “ata që udhëtojnë nga kombe të sigurta nuk duhet t’i shohin gomonet si një rrugë drejt një jete të re këtu”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: