Nga Basir Çollaku

Ish-agjenti i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Fier, Antonio Nazeraj në pjesën e dytë të intervistës dhënë për “Gazeta Shqiptare” tregon vijimin e situatës së vështirë që hasi pas denoncimit të Habilajve duke bërë një denoncim “bombë”. Ai rrëfen se si ua shpërndanin shefat e policisë trafikantëve farën e kanabisit duke përfituar 30% si dhe jetën e tij të re….

Por, ju vazhduat punën nuk u larguat, por u arrestuat?
Unë nuk e kam lënë detyrën, madje eprorit tim i kisha thënë se do të qëndroj në detyrë dhe nuk e lë asnjë sekondë punën, që kam dhe më tha bëjë për familjen, nëse nuk e bën për vete, pasi ai kishte shumë informacion për këto grupe kriminale dhe trysninë që ushtrohej ndaj tij nga lart.

Dhe me 17 korrik jeni arrestuar?
Këtë detyrë nuk e kam lënë deri me datë 17 korrik. Më herët, diku në fund të muajit qershor, kam pasur një takim me një prokuror.

Përse ju kishte thirrur?
Më ka marrë oficeri i SHKB në telefon dhe më ka thënë se ka lënë një takim prokurori me ty. Vajta dhe poshtë prokurorisë po më priste shefi i SHKB, Melsi, i cili erdhi pas meje kur u ngjita në zyrën e prokurorit. Prokurori i kërkoi të dilte nga zyra se do merrte deklarimin tim, ndërsa Melsi nuk pranonte të dilte dhe thoshte se nuk dal, do të dëgjoj se çfarë deklarimi do të marrësh. Pati një debat mes prokurorit dhe shefit të SHKB, sepse kur më ka pyetur prokurori dhe më ka thënë se, përse e kisha lënë detyrën, pasi sipas tij unë nuk shërbeja më në Policinë e Shtetit. I them që jam ende në detyrë dhe po vij nga puna në Lushnjë drejt në prokurori. Prokurori debatoi me Melsin ku i tha se më ke sjellë informacione të rreme

Sipas SHKB?
Sipas SHKB, tha prokurori, unë kisha lënë detyrën në polici dhe i isha shmangur një hetimi. Detaji tjetër ishte kur prokurori ka pyetur mua dhe shefin e SHKB, ku isha në punë kur flitej për një kontroll automjeti, i kam thënë se kam qenë oficer antidrogë dhe jo qarkullimi që kisha bërë kontrollin e një automjeti për patentë.

Ju pranuat që ai të qëndronte aty?
Ai nuk dëgjonte të dilte nga zyra, me sa kuptova e kishte porosi nga shefat e tij. Më tha prokurori nëse mund të qëndrojë. I përgjigjem se këtë nuk e di unë, por ju. Atëherë më tha se do të të thërras një ditë tjetër për të të marrë një deklarim. Pastaj jam larguar për në punë.

Dhe kur ju ndaluan?
Më kanë ndaluar me datë 16 korrik 2014. mes datës 16 dhe 17 në mesnatë. Kur lashë detyrën në orën 16 më morën në telefon dhe më thanë se duhet të vish në Komisariatin e Fierit. Dhe aty rreth orës 22 të darkës më kanë arrestuar

Përse ju kanë arrestuar, cila ishte akuza ndaj jush?
Më kanë akuzuar me pretendimin, akuzën e korrupsionit pasiv, sepse pretendonin se unë si oficer, bashkë me dy agjentët e mi, kishim kontrolluar një automjet në fshatin Qarr dhe, sipas akuzës, ne i kemi bërë kontroll këtij personi, duke i bërë favor dhe e lënë të lirë, ndonëse ai nuk dispononte patentë dhe ne, sipas akuzës, kemi përfituar 80 mijë lekë të vjetra të tre së bashku.

Dhe ju e latë?
Ne për këtë person kemi marrë sallën operative dhe ata na kanë thënë se këtij personi patentën ia ka bllokuar zyra e trafiqeve, sepse ishte kontingjent për trafik femrash dhe fëmijësh dhe firmoste një herë në javë në Drejtorinë e Policisë Fier, ishte me detyrim paraqitjeje. Kam pasur informacionin se ky njeri ishte informato i SHKB dhe të gjithë këto veprime e akuza janë gatuar nga oficerët e SHKB. Kemi pasur edhe raste të tjera kur na janë ankuar persona, të cilët janë kërcënuar nga oficerët e SHKB, që të sajonin akuza ndaj nesh.

Shkuat në burg?
Kur kam dalë në gjyq dhe gjykata më ka njohur me masën e arrestit me burg, jam habitur, ndonëse e mora vesh mirë se si u sajua, atëherë i thashë avokatit të paktën të më dërgojnë në një burg, ku të kem siguri për jetën.

Ku të dërguan?
Më dërguan në burgun e Rrogozhinës. Kur e kam pyetur avokatin dhe i thashë të paktën të më dërgojnë në një burg ku të ketë siguri, të mos më dërgojnë në një burg ku ishin të arrestuarit e mi, sepse kisha tetë vjet në zyrën e antidrogës, dhe të shumtën e të arrestuarve unë i kisha në Rrogozhinë dhe në Peqin. Avokati më ka thënë se ka pasur një telefonatë të fuqishme ndaj prokurorit të rrethit për ty dhe nuk e marrin mundimin as prokuroria as gjykata se ka pasur kërcënime nga krerët e lartë të Ministrisë së Brendshme për ty.

Pjesën e dytë të intervistës së plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/10/26/denoncimi-bombe-i-oficerit-te-antidroges-si-ua-shperndanin-shefat-e-policise-trafikanteve-faren-e-kanabisit-merrnin-30-ja-kush-me-arrestoi/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb