SHBA – Policia amerikane ka zbuluar ditarin e Ahmad Rahamit, 28-vjeçarit me origjinë afgane i cili u arrestua pas vendosjes së disa bombave në Nju Xhersi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar zyrtarisht 28-vjeçarin afgan Ahmad Khan Rahami si përgjegjësi kryesor i sulmit me bomba në Nju Jork dhe Nju Xhersi. 31 persona mbetën të plagosur, pasi një bombë shpërtheu në një lagje të Manhatanit gjatë së shtunës në mbrëmje. Në ditarin e sekuestruar autori shkruan me shumë admirim për themeluesin e Al Kaedës, Osama Bin Laden.

Ahmad Khan Rahami, 28-vjeçari amerikan me origjinë afgane i arrestuar për vendosjen e bombave në Nju Jork dhe Nju Xhersi, preferonte të vdiste si një martir në vend që të kapej nga policia. Kjo bëhet e ditur nga ditari i tij, në të cilin shkruante se zhurma e bombave do të dëgjohej në rrugët e qytetit, dhe se vepra e tij do të godiste policinë, kundër shtypjes amerikane. Në faqet e ditarit vijohet re dhe admirimi i tij për themeluesin e Al Kaedës, Bin Ladenin. Por ka vlerësime dhe për imamin amerikano-jemenit Anuar Al Aulaki, i vrarë nga një dron amerikan në Jemen në 30 shtator 2011, si dhe për Nidal Hasan, mjekun e ushtrisë amerikane, autor i masakrës së Fort Hud, bazës ushtarake në Teksas ku në 2009-ën u vranë 13 persona.

Vlerësim ka dhe për Sied Rizvan Faruk, një nga dy autorët e masakrës në 2 dhjetor 2015 në një qendër për persona me aftësi të kufizuar në San Bernardino, Kaliforni, ku mbetën të vrarë 14 persona, si dhe për Omar Mateen, të riun që në qershor të këtij viti vrau 49 persona në një klub nate në Orlando. Aty përmenden dhe Tamerlan e Dzokhar Tsarnaev, dy vëllezërit të cilët me tenxhere me presion provokuan një shpërthim të fortë pranë vijës së finishit në maratonën e Bostonit në 2013-ën, ku viktimat ishin tre por të plagosurit 264. Nga dokumentet e hetimit del në dritë dhe fakti që 28-vjeçari kishte urdhëruar disa përbërës për eksplozivë në “eBay”, duke dhënë adresën e fast food-it të familjes.

Por ka dhe disa video të regjistruara dy ditë para se Rahami të vendoste bombat në Nju Jork dhe Nju Xhersi, të gjetura në celularin e një prej anëtarëve të familjes së tij, ku ai djeg disa materiale të cilat provokojnë një zhurmë të fortë dhe shumë tym. Ahmad Khan Rahami u arrestua para tri ditësh nga policia. Sipas “CBSN News”, Rahami kishte shkëmbyer zjarr me policinë, të cilët kishin shkuar ta arrestonin pas identifikimit të tij. Në këtë shkëmbim zjarri raportohet se dy policë janë plagosur. Ditën e diel një shpërthim ka ndodhur në rrugën e 23-të në lagjen “Chelsea”, Manhatan. Mësohet se nga një shpërthim i ndodhur në lagjen turistike “Chelsea” në Nju Jork të SHBA-ve, janë plagosur 31 persona të plagosur, megjithatë asnjëri prej tyre nuk ishte në rrezik për jetën.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: