Pas ndeshjes së djeshme, Patrik Kutrone ka qenë i ftuar në emisionin “Serie A Live” ku ka dhënë edhe një intervistë. Tepër i lumtur, 20-vjeçari, i cili nuk ka ngurruar të bëjë një krahasim mes Montelës dhe Gatuzos, ndërkohë që ka treguar edhe dedikimin e veçantë për secilin nga golat ndaj Spalit.

Dy gola dhe një ndeshje për kornizë. Si ndihesh Patrik?
Sigurisht, shpresoj të vazhdoj kështu, por më e rëndësishme është që skuadra të fitojë. Nëse e bën me kontributin tim, akoma më mirë.

Milani kërkoi një si Beloti, ndërkohë që kishin në shtëpi një si Inzagi.
Nuk mund të them asgjë më shumë nga ato sa janë thënë për dikë si Inzagi. Ai ka qenë një ndër sulmuesit më të mëdhenj italianë dhe e vlerësoj ashtu si edhe Belotin ,të cilit dua t’i ngjaj.

Gatuzo duket se ka sjellë një tjetër frymë apo jo?
Objektivat na janë përcaktuar që në fillim të sezonit dhe ne do të kërkojmë t’i ndjekim gjithmonë. Me Gatuzon kanë ardhur disa ndryshime pozitive, por nuk është ende kohë bilancesh. Kemi Ligën e Europës dhe duhet të mendojmë për një ndeshje në transfertë, që paraqet shumë vështirësi.

Cili është ndryshimi mes Vinçenco Montelës dhe trajnerit tuaj aktual?
Janë dy teknikë sa të përgatitur aq edhe të ndryshëm në filozofinë e tyre. Montelës i detyrohem shumë, pasi ishte i pari që besoi tek unë duke më dhënë edhe mundësi për të luajtur. Edhe Gatuzos i detyrohem po aq shumë sepse po më jep vazhdimësi dhe unë po përpiqem t’ia shpërblej.

Çfarë këshillash të jep Rino në stërvitje?
Ai mundohet të na ndihmojë të gjithëve dhe unë përpiqem të zbatoj çdo udhëzim që më jep. Ai ka qenë një kampion dhe për të gjithë është një fat i madh që drejtohemi nga një trajner me të tillë përvojë.
Dopjeta e parë për ju sot, përpara emisionit thatë që keni një dedikim të veçantë. Cili është?
Golin e parë ia kushtoj Andrea Kontit, i cili ma kishte parashikuar që një ditë më parë. Goli tjetër është për familjen dhe skuadrën që më mbështesin gjithmonë.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/bomberi-kutrone-po-i-mahnit-te-gjithe-golat-per-familjen-dhe-kontin-qe-e-parashikoi-se-do-shenoja/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: