Në datën 18 maj 2015 i ka shënuar Partizanit golin e barazimit në ndeshjen që Kukësi luante në kryeqytet dhe në katër takimet pasuese skuadra verilindore nuk ka arritur të marrë asnjë rezultat pozitiv ndaj të kuqve. Por Pero Pejiç, sulmuesi kroat i rikthyer te Kukësi, ka bindjen se historia tani do të ndryshojë krah dhe do të jetë ekipi i tij që do të triumfojë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Pejiç flet për presionin dhe objektivin e ekipit të tij në këtë ndeshje, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe garën për titullin kampion me Skënderbeun që është shkëputur disi në klasifikim.

Si e shihni takimin e radhës ndaj Partizanit?
Është e vërtetë që luajmë një ndeshje të fortë, pasi Partizani është ekip i mirë, por nuk duhet harruar që kjo ndeshje është në fushën tonë, pra Kukësi luan në shtëpi. Kundërshtari ka arritur të fitojë shumë nga përballjet direkte vitet e fundit.

Mos ndoshta ka ardhur koha që t’i ktheni reston?
I respektoj mendimet tuaja dhe të gjitha mendimet e tjera. Ata duan të fitojnë dhe ne duam të fitojmë, kështu që më mirë ia lëmë fushës që të tregojë gjithçka. Kushdo të fitojë aty do të jetë skuadra më e mirë. Gjithsesi, nuk mendoj se kanë rëndësi ndeshjet që kanë kaluar. Ne shikojmë të tashmen dhe të ardhmen. Do të bëjmë maksimumin në fushë që të dalim me kokën lart dhe me tri pikë nga kjo përballje.

I trembeni kundërshtarit?
Aspak, unë besoj te vetja ime dhe te shokët e mi të skuadrës.

Si e shihni skuadrën tuaj, mendoni se jeni në formën e duhur?
E kam thënë dhe më parë që Kukësi ka një ekip të mirë me lojtarë cilësorë, por kjo nuk mjafton. Duhet të punojmë mirë dhe fort çdo ditë që të jemi akoma dhe më mirë.

Në katër ndeshje keni marrë vetëm gjashtë pikë, çka nuk tregon ndonjë ecuri mbresëlënëse. Pse ka ndodhur kjo?
Është e vërtetë që ne kemi marrë 6 pikë në 4 ndeshje, por të mos harrojmë që nga këto 3 takime i kemi pasur në transfertë dhe jo me ekipe dosido. Megjithatë, tani kemi përpara një ndeshje, të cilën nëse do ta fitojmë, do të jetë çdo gjë në rregull për ne si skuadër. E dimë që nuk kemi pasur ecuri mbresëlënëse, por kemi treguar pozitivitet dhe mund të kishim marrë dhe më shumë pikë. Kemi humbur disa pikë, ndaj fitorja me Partizanin na i rregullon të gjitha.

E ndieni presionin që duhet të fitoni me çdo kusht?
Është normale që të ketë presion pozitiv, pasi Kukësi kërkon gjithmonë më të mirën, por unë nuk kam fare presion. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe shpresojmë t’ia dalim me sukses.

Sa kanë ndikuar në rezultate mungesat e lojtarëve të ndryshëm për shkak të dëmtimeve?
Ne kemi pasur disa lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar, të cilët na nevojiteshin. Por nuk ke çfarë të bësh, ky është futbolli, ndodhin dhe këto. Në këtë ndeshje, kushdo që të luajë shpresoj dhe besoj se do të japë maksimumin dhe në do të provojmë t’ia dalim. Pas këtij takimi do të jemi dy javë pushim dhe shpresoj që lojtarët e dëmtuar të rikuperohen plotësisht dhe të jenë sërish në dispozicion të stafit teknik.

Në ndeshjen e fundit i keni shënuar Partizanit. Do ta bëni sërish një gjë të tillë?
Unë hyj në fushë ndaj kujtdo dhe në çdo ndeshje për të shënuar sepse jam sulmues, e njëjta gjë do jetë dhe në këtë takim. Natyrisht që në takimin e së shtunës, objektivi do të jetë për të shënuar, por do të shohim çfarë do të ndodhë deri në fund.

Ndërkohë, Skënderbeu ka marrë vetëm fitore deri më tani. Mendoni se janë të arritshëm në renditje?
Ata kanë marrë katër fitore në po kaq ndeshje, por nëse shikoni kalendarin e tyre, do të vëreni se kanë luajtur tri ndeshje në shtëpi, kështu që ka qenë shumë më lehtë. Gjithsesi, kanë kaluar vetëm 4 javë dhe nuk mund të flitet kaq lehtë për pikët dhe renditjen, e cila s’duket tani. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë rrugë deri te titulli, por nëse ne luftojmë fort dhe ecim mirë, çdo gjë arrihet.

Keni ndonjë thirrje për tifozët në prag të ndeshjes ndaj Partizanit?
Po, shpresoj që ata të jenë të shumtë në numër dhe ta mbështesin skuadrën. U them të vijnë sa më masivisht në stadium dhe ta mbështesin ekipin fort, pasi kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Kam besim te tifozët tanë. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: