NGA OLA MITRE*

TIRANË- Të gjithë ata mjekë specialistë që do të zgjedhin të punojnë nëpër spitalet rajonalë ku ka mungesa, përveç pagës, do të përfitojnë 100 000 lekë bonus në muaj”. Gjithçka përcaktohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, të miratuar në mbledhjen e dy ditëve më parë, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë një kopje të tij.

Duke iu referuar këtij dokumenti, saktësohet se çdo vit nuk mund të punësohen më shumë se 200 mjekë, ndërkohë që kontratat e tyre nuk do të jenë definitive, por për një periudhë të caktuar. Më konkretisht, në VKM thuhet: Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, të parashikuar në shtojcën 2, (që ndodhet bashkëngjitur shkrimit), urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit.

Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj”. Gjithashtu, sipas vendimit, ky bonus nuk do të jetë pjesë e pagës bruto për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por do të trajtohet si vlerë e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit. Ndërkaq, mjekët e kontraktuar sipas këtij vendimi, nuk do të përfitojnë shpërblimin që merrnin deri më tani për shkak se ishin të punësuar larg vendbanimit të tyre.

Aktualisht, mjekët, që punojnë larg vendbanimit, kur punojnë në rrethet: Pukë, Tropojë, Kukës, Has, Malësi e Madhe, Dibër dhe Bulqizë marrin shpërblim 4 500 lekë në muaj, ndërsa ata që punojnë në rrethet: Mat, Mirditë, Gramsh dhe Librazhd shpërblehen me 3 800 lekë në muaj. Pavarësisht se kjo pagesë do të hiqet, bonusi i parashikuar nga qeveria është dukshëm më i lartë. Vendimi, i miratuar tashmë në qeveri do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare për t’i hapur kështu rrugë nënshkrimit të kontratave të reja.

MUNGESAT
Vendosja e këtij shpërblimi pritet të zgjidhë një pjesë të problemit disa vjeçar të krijuar nëpër spitalet rajonale me mjekët specialistë, të cilët nuk preferojnë të punojnë pranë tyre, duke i lënë vakante këto vende pune. Vendosja e këtyre incentivave financiare u njoftua edhe më herët nga zëvendëskryeministri, Niko Peleshi. “Dua të komunikoj një projekt të qeverisë shqiptare, për të cilin po punohet me intensitet, që do të na japë mundësinë të pajisim me bonuse dhe incentiva, administratorët, nëpunësit dhe punonjësit publikë të shkëlqyer, të cilët spikasin në punën e tyre. Këto incentiva janë financiare, si dhe një sërë incentivash të tjera që tentojnë të korrigjojnë dështimet e tregut të punës dhe këtu e kam fjalën për shembull për pozicione të cilat mbeten vakante për shkak se nuk janë mjaftueshmërisht atraktive, siç janë mjekët e specializuar në spitalet rajonale apo mësuesit e lëndëve të vështira, etj”, deklaroi Peleshi në prill të këtij viti.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: