TIRANE- Të gjithë ata mjekë specialistë që do të zgjedhin të punojnë nëpër spitalet rajonale ku ka mungesa, përveç pagës, do të përfitojnë 100 000 lekë bonus në muaj. Vendimi i Këshillit të Ministrave i cili u miratua në datën 29 korrik 2015, tashmë ka hyrë në fuqi. Sipas vendimit, saktësohet se çdo vit nuk mund të punësohen më shumë se 200 mjekë, ndërkohë që kontratat e tyre nuk do të jenë definitive, por për një periudhë të caktuar.

Më konkretisht, në VKM thuhet: Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj”.

Gjithashtu, sipas vendimit, ky bonus nuk do të jetë pjesë e pagës bruto për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por do të trajtohet si vlerë e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit.

Ndërkaq, mjekët e kontraktuar sipas këtij vendimi, nuk do të përfitojnë shpërblimin që merrnin deri më tani për shkak se ishin të punësuar larg vendbanimit të tyre. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2015. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: