DIBËR- Moti i keq me reshje bore e reshje shiu ka përfshirë vendin, duke shkaktuar problematika në dosa zona, sidomos me mungesën e energjisë elektrike.

Në qarkun e Dibrës ka pasur reshje bore të dendura dhe sipas të dhënave trashësia i ka kaluar 30 cm. Mësohet se rrugët rurale në zonat e thella të qarkut janë të bllokuara dhe prej orëve të para të mëngjesit po punohet për zhbllokimin e tyre.

Ndërkohë që nuk raportohet për probleme në rrugën nacionale. Në komunën Zerqan mungon prej orësh energjia elektrike për shkak të këputjes së telave

Pa energji elektrike janë edhe komuna Ostren dhe Trebisht.

Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme edhe në qarkun e Kukësit dhe atë të Pukës.

Në Kukës trashësia e borës arrin në 90 cm, ndërsa në Pukë 40 cm. Sipas raportimeve nga terreni në aksin Pukë-Fushë Arrëz trashësia e borës arrin në 50 cm dhe qarkullimi bëhet vetëm me zinxhir. Edhe në aksin Fushë Arrëz-Kukës trashësia e borës arrin 70 cm dhe qarkullimi bëhet me zinxhir. Ndërkohë aksi Qafë Mali-Bajram Curri është i bllokuar dhe trashësia e borës i kalon 80 cm.

Qarku i Kukësit është pa energji elektrike për shkak të këputjes së telave në Qafë Mali. Në aksin Kukës- Kalimash qarkullimi bëhet me zinxhirë pasi ka 90 cm borë. Në këtë aks janë duke punuar 8 borëpastruese për të zhbllokuar rrugën.

Akset Kukës-Zapod, Kukës-Krumë kalohen pjesërisht me zinxhirë. Kukës-Qafë Shllak kalohet me zinxhirë, trashësia e borës rreth 1.2 m, ndërsa aksi Bajram Curri-Valbonë është i pakalueshëm, trashësia e borës shkon në 1.4 metër. Në Qarkun e Kukësit janë të bllokuara komunat Surroj, Arrën, Lekbibaj, Kalis, Bushtricë, Grykë Çajë.

SITUATA E RRUGËVE SIPAS ARRSH-SË

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për akset kryesore kombëtare raportojnë për paraqitjen e vështirësive në kalimin e akseve kryesore ne vend. ARRSH dhe DPSHTRR ju apelojnë gjithë drejtuesve të mjeteve në zonat ku ka vështirësi qarkullimi, për të zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe për të respektuar sinjalistikën. Bëhet me dije se për ditën e sotme deri në orën 10:00, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë

TIRANË       

Qarkullimi kryhet normalisht në të gjithë akset e qarkut. Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika.

DURRËS

Nuk ka probleme ne akset e ketij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim dhe të respektohet sinjalistika rrugore.

ELBASAN    

Aksi Elbasan-Gjinar është bërë i kalueshëm me vështirësi, sipas variantit të ri të rrugës. Vazhdon të punohet në këtë aks. Po në këtë segment, 300 metër nga rruga kryesore ka rreth 30 cm cedim në një gjatësi 40 ml, përball kompleksit KRIVA. Elbasan-Qafë Thanë, në Murrash ka patur rënie gurësh, por vazhdon të punohet. Nuk ka probleme për qarkullimin. Në aksin Fushë-Studë–Steblevë ka 20 cm borë, qarkullimi pa probleme. Në aksin Elbasan–Gjinar nuk lejohet kalimi i autobusëve. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje të rrugës. Qarkullimi normal në të gjithë aksin

BERAT         

Nuk ka probleme per qarkullimin e mjeteve ne akset e ketij qarku.

Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e reshjeve.

VLORË

Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku. Në aksin Vlorë-Palasë, në Fushë Dukat, ka një shkarje të trupit. Kalimi kryhet me dy kalime me vështirësi. Të bëhet kujdes në qarkullim, sidomos në segmentet ku ka rrëshqitje të materialeve në rrugë.

GJIROKASTËR     

Nuk ka probleme për qarkullimin. Po mbahen nën kontroll dhe në monitorim të vazhdueshëm zonat ku ndodhin rrëshqitje. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje. Përdoruesit e rrugës të zbatojnë sinjalistikën e vendosur në segmentet ku ka shkarje.

KORÇË        

Situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm. Deri në këto momente situata në akset e qarkut të Korçës nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Të bëhet kujdes në qarkullim.

KUKËS         

Reshjet e borës kanë ndaluar, trashësia e borës ka arritur në 100 cm. Në Tropojë ka reshje shiu dhe kjo ka bërë që qarkullimi të jetë pa zinxhirë. Gjithashtu dhe në Pukë kanë pushuar reshjet e borës por vetëm në aksin Qafë Mali-Fierzë, momentalisht është i bllokuar në zonën e Dardhës. Po punohet për zhbllokimin sa më parë të aksit. Akset e tjera janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Po punohet për zgjerimin e pjesës kaluese. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Të tregohet kujdes në qarkullim sidomos në zonat ku ka rrëshqitje në rrugë dhe për shkak të borës. Zona e Dardhës në aksin Qafë Mali-Fierzë, momentalisht është e bllokuar.

DIBËR          

Në Dibër kanë pushuar reshjet e dëborës. Akset Qafë Bualli-Krastë, Segmenti Muhur-Qafë Drajë, Ostren-Steblevë, Sllovë-Kala e Dodës kanë vështirësi në qarkullim prandaj rekomandohen zinxhirët. Akset Qafë Bualli-Kraste, Segmenti Muhur-Qafë Drajë, Ostren-Steblevë, Sllovë-Kala e Dodës kane vështirësi në qarkullim prandaj rekomandohen zinxhirët.

SHKODËR   

Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku.

Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.

FIER 

Gjendja në akset e Fierit është normale.

Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika rrugore.

LEZHË

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku.

Të gjitha akset qarkullohen normalisht.

 

VLORË, PËRMBYTEN RRUGËT KRYESORE, PROBLEME ME QARKULLIMIN

Reshjet intensive të shiut që ranë pa ndërprerje gjatë ditës së djeshme, veçanërisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, krijuan probleme në disa nga segmentet rrugore në qytetin e Vlorës.

VLore permbytje

Situata më shqetësuese në orët e mbrëmjes ishte në rrugën Skelë-Uji i Ftohtë, në zonën e Skelës, në pjesë të veçanta në bulevardin kryesor të qytetit, etj. Po ashtu, probleme u shfaqën edhe në disa zona periferike të qytetit.

Pavarësisht motit të keq, furnizimi i qytetit me energji elektrike u krye pothuajse  normalisht. Po ashtu, hidrovori punon me kapacitet të plotë.

Aktualisht, gjendja është normalizuar, reshjet e shiut për momentin janë ndërprerë, ndërkohë që punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve po punojnë për pastrimin e zonave ku ka prezencë të baltës dhe të prurjeve të tjera.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb