Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, tha sot në Forumin për të Drejtat e Grave dhe Dhunën në Familje të mbajtur në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Të Drejtat e Njeriut se shoqëria shqiptare duhet t’i japë zgjidhje problemeve sociale dhe ekonomike që shtyjnë disa gra drejt krimit, duke renditur mes tyre dhunën, tabutë morale, presionin shoqëror, varfërinë apo krizat familjare.

“Gratë janë shpesh viktima dhe keqbërëse në të njëjtën kohë. Ne duhet t’i ndihmojmë gratë në situata abuzive që të kërkojnë mbrojtje, si edhe t’i fuqizojmë nga ana sociale dhe ekonomike. Për sa i takon grave të privuara nga liria, duhet të përqendrohemi në rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre”, tha Ambasadori Borchardt.

Ai foli para një audience të përbërë kryesisht prej grash që janë duke vuajtur dënimin me burg, dhe shtoi se OSBE-ja është angazhuar për mbrojtjen e personave në burgim, duke nxitur zbatimin e masave alternative ndaj burgosjes, sidomos për gratë.

“Dua ta nis me një të vërtetë themelore, një pikë që shpesh harrohet: çdo njeri ka të drejta. Po, po, çdo njeri, edhe ata në konflikt me ligjin, ndërsa Shteti e ka për detyrë që t’i mbrojë ato”, tha Ambasadori Borchardt. “Në OSBE, ne besojmë se privimi i lirisë duhet të jetë mjeti i fundit; prej shumë vitesh tashmë, jemi angazhuar për mbrojtjen e personave në burgim, duke inkurajuar aplikimin e masave alternative ndaj burgosjes, sidomos për gratë.”

Duke folur për çështjen e dhunës në familje, Ambasadori Borchardt tha se thyerja e kulturës së heshtjes është e rëndësishme në këtë drejtim.

“Gjithashtu, kemi bërë fushatë kundër dhunës në familje dhe kemi luftuar për ta thyer kulturën e heshtjes, duke i nxitur viktimat që ta ngrenë zërin kundër saj. Thyerja e heshtjes kërkon forcë dhe kurajë, por gratë duhet ta dinë që ka njerëz me vullnetin dhe mundësinë për t’i ndihmuar”, shtoi ambasadori.

Forumi u zhvillua në kuadrin e një vargu veprimtarish të organizuara si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili gjithë këtë javë do të ketë shfaqe të hapura për publikun dhe falas në disa vende në kryeqytet. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është një prej partnerëve zyrtarë të këtij festivali.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb