Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi në mbledhjen e datës 28 shkurt Fondin e Kompensimit për vitin 2022, në masën 250 milionë lekë. Në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, në këtë mbledhje është miratuar edhe krijimi i provigjoneve (rezervave) në vlerën rreth 764 milionë lekë, për dëmet e Fondit të Kompensimit, të cilat do të pasqyrohen nga shoqëritë në pasqyrat financiare të vitit 2021.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të ligjit të ri, i cili hyri në fuqi në korrik 2021, ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të rasteve të Fondit të Kompensimit, ku përfshihen aksidentet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara. Sipas parashikimeve ligjore, palës së dëmtuar në një aksident të shkaktuar nga një mjet i papajisur me siguracion, ose që largohet nga vendngjarja, i lind e drejta t’ia kërkojë dëmshpërblimin shoqërisë së tij të sigurimit, pa qenë nevoja që rasti të shkojë automatikisht te Byroja, duke u klasifikuar si Fond Kompensimi, ashtu siç ndodhte më përpara.

Pikërisht ky ndryshim ka sjellë impakt domethënës në trajtimin e rasteve nga shoqëritë si sigurues i drejtpërdrejtë. Sipas të dhënave, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, për dëmet e ndodhura dhe të raportuara gjatë periudhës 1 korrik 2021-31 dhjetor 2021, 80% e këtyre dëmeve në numër dhe 74% në vlerë janë trajtuar dhe paguar nga shoqëritë, si sigurues i drejtpërdrejtë. Pagesa e kësaj kategorie dëmesh nga shoqëritë e sigurimit ka ndikuar direkt në reduktimin e procedurave, si edhe uljen e kohës së procesimit dhe pagesës së dëmit për personat që kanë pësuar aksidente.

Fondi i Kompensimit në mbyllje të vitit financiar 2021, rezultoi me një realizim në masën rreth 104% të detyrimit të fondit të këtij viti, duke e tejkaluar për herë të parë në 5 vitet e fundit detyrimin përkatës të vitit. Bazuar në ndryshimet e fundit ligjore, “Byroja Shqiptare e Sigurimit duhet të mbajë një fond garancie me qëllim pagesën e dëmeve Fond Kompensimit, vlera e të cilit duhet të jetë të paktën 150 milionë lekë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: