TIRANË – Personeli shëndetësor, që nuk i ka kreditet e edukimit në vazhdim, duke nisur nga data 15 prill 2015 me shpalljen nominale të emrave, duhet t’i nënshtrohet provimit të riçertifikimit. Këtë vendim ka marrë sot, Bordi i Riçertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve.

Sipas tij, ky personel pa kreditet e duhura përbëhet nga 1800 mjekë ose 36% e të gjithë trupës mjekësore në vend; nga 606 farmacistë ose 28% e numrit të të gjithë farmacistëve në vend dhe nga 1096 dentistë ose 52% e të gjithë dentistëve në vend që punojnë në sektorin publik dhe jopublik.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË SHËNDETËSISË

Në njoftimin e dërguar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet: “Sot u zhvillua mbledhja e Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit (BRA) të Profesionistëve të Shëndetësisë, nën drejtimin e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të urdhrave të profesionistëve të shëndetit, Universitetit të Mjekësisë, Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh), Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë, Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKSAISh), për të diskutuar modalitetet e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimet e programit pesë-vjeçar të ricertifikimit 2010-2014.

Nga analiza paraprake e të dhënave të programit të ricertifikimit rezulton se:1800 mjekë (ose 36% e të gjithë trupës mjekësore në vend), 606farmacistë (ose 28% e numrit të të gjithë farmacistëve në vend), dhe1096 dentistë (ose 52% e të gjithë dentistëve në vend) që punojnë në sektorin publik dhe jopublik të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbledhjen e krediteve të edukimit në vazhdim.

Në mbledhjen e Bordit u vendos që:

Brenda gjashtë muajve, duke filluar që nga data 15 prill 2015, nga shpallja nominale e emrave, profesionistët që nuk kanë përmbushur detyrimet duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit;

Të miratohet Rregullorja e provimit të ricertifikimit për profesionistët e sipërpërmendur të shëndetit brenda muajit mars 2015;

Brenda datës 15 prill 2015, urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjithë kategoritë e profesionistëve që do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit;

Brenda datës 15 prill 2015, QKEV-ja do të bëjmë me dije të gjithë emrat e profesionistëve që duhet t’i nënshtrohen këtij provimi,” – përfundon njoftimi i BRA.

BORDI I RIÇERTIFIKIMIT DHE AKREDITIMIT (BRA)

BRA-ja është organi më i lartë vendimmarrës në sistemin e riçertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë dhe procesin e akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim. Bordi përbëhet nga nëntë anëtarë, përfaqësues të institucioneve të mëposhtme:
Ministria e Shëndetësisë;
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim;
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor;
Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore;
Urdhri i Mjekut;
Urdhri i Infermierit,
Urdhri i Farmacistit,
Fakulteti i Mjekësisë
Shoqatat e Profesionistëve të Shëndetësisë.

Pikërisht sot, profesionistët e shëndetësisë kanë dorëzuar një peticion në Kuvend duke kundërshtuar testimin e tyre dhe kërkuar dorëheqjen e ministrit Beqaj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb