Bashkimi Europian do të vazhdojë ta mbështesë Bosnje-Hercegovinën në ndërtimin e një të ardhmeje të begatë dhe të qëndrueshme pa konflikte, të ndërtuar mbi vlerat e vërteta demokratike, deklaroi sot në Sarajevë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetari i Komisionit Europian, Josep Borrell.

Ai vizitoi Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Sarajevë dhe bëri homazhe për viktimat civile të konfliktit.

Borrell kujtoi luftën në Bosnje-Hercegovinë të viteve 1992-95 dhe theksoi se ajo ishte një nga episodet më të turpshme në historinë moderne europiane.

‘’Ne ishim të turpëruar që nuk arritëm ta ndalojmë luftën. U morën më shumë se 100 000 jetë njerëzish, gjysma e të cilëve ishin viktima civile, ndërsa më shumë se një milion njerëz u larguan.

“Sot ne po kujtojmë përvjetorin e përfundimit të luftës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe është një nder i madh për mua që mund të bëj homazhe për të gjitha viktimat e luftës në emër të Bashkimit Europian”, tha Borrell.

Ai vuri në dukje se qytetarët e BiH duhet ta nderojnë të kaluarën, por të shikojnë edhe drejt së ardhmes siç bënë qytetarët e Spanjës pas luftës civile atje.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se fara e konfliktit qëndron ende dhe ekziston rreziku që ajo të rritet përsëri nëse nuk punojmë së bashku për të ruajtur paqen. Unë jam spanjoll dhe europian dhe e kuptoj plotësisht se si është të jetosh në një kohë pas një lufte shkatërruese, sepse vendi im kaloi një luftë të tmerrshme civile pas një diktature të tmerrshme. Pas luftës, Spanja pa nga Europa dhe e bashkuar në atë qëllim, punoi mbi vlerat demokratike’’, shpjegoi ai.

Borell ndodhet në Bosnje-Hercegovinë me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb