SOFJE- Kryeministri Nikolla Gruevski duhet të jap dorëheqje dhe të lejojë që në Maqedoni të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike në pajtim me frymën evropiane. Kjo ka qenë porosia e kryeministrit bullgar Bojko Borisov, për homologun e tij Gruevskin.

Këto komente Borisov i bëri pas takimit me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. Në konferencën e përbashkët për media Borisov tha se qeveria dhe opozita duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjidhur krizën politike, ashtu siç kërkon edhe Evropa.

“Ne mendojmë se kriza politike duhet të zgjidhet në mënyrë demokratike. Ne jemi kategorikisht kundër çdo deklarate për federalizim të Maqedonisë. Mbështesim qeverinë dhe opozitën që të krijojnë dialog siç kërkon Evropa. Ne nuk do ndërhyjmë në punët e brendshme të Maqedonisë, por na shqetëson ajo që atje ka krizë politike, edhe atë në kufirin tonë, një komb që është më afër Bullgarisë. 10 ditë më parë u dëgjuam në telefon me Zoranin dhe caktuam një takim për sot. E bëmë së bashku me opozitën bullgare- Socialistët për të treguar se në Bullgari ne nuk ndahemi në të majtë dhe të djathtë, kur diçka ka të bëjë me stabilitetin e një vendi”, deklaroi Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.

Lideri i LSDM-së opozitare Zoran Zaev tha se me formimin e Qeverisë kalimtare do të tejkalohet kriza politike në vend. Zaev tha gjithashtu se porositë e Borisovit, do të kontribuojnë në tejkalimin e krizës.

“Qëndrimi i tij ishte ai i njëjti të cilin edhe e tha në opinion se është demokratike dhe në pajtim me vlerat evropiane është që kryeministri Nikolla Gruevski të ndjekë shembullin e tij që bëri, të jap dorëheqje dhe të formohet një Qeveri teknike e cila gjithsesi që me garanci të të gjithë aktorëve politikë të sigurohen kushte për zgjedhje fer dhe demokratike. Këtë qëndrim Borisov sot e përsëriti edhe njëherë dhe unë mendojë se kjo do të kontribuojë në drejtim të tejkalimit të krizës politike në Maqedoni”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev gjithashtu tha se për LSDM-në nuk është me rëndësi pushteti, por Maqedonisë t’i kthehet normaliteti, liria, demokracia dhe vlerat evropiane.

“Nga këtu edhe njëherë theksoj se nëse ne politikanët themi se kemi përkrahje të madhe nga qytetarët, atëherë t’ju lejojmë atyre që këtë ta shprehin në zgjedhje, kurse pas zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike t’i zgjasim dorën njëri tjetrit pa dallim se kush do të fitojë apo humbë në zgjedhje dhe bashkë në pajtim me pozitën tonë në shoqëri të kontribuojmë drejtë ndërtimit të një ardhmërie evropiane të Maqedonisë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev i ka thënë kryeministrit bullgar Borisov, se incidenti në Kumanovë ishte i izoluar dhe se LSDM-ja siç tha do të angazhohet që incidente të kësaj natyre të mos ndodhin në të ardhmen. Zaev në Sofje takoi edhe nënkryetarin e Kuvendit Bullgar Janaki Stoillov dhe sekretarin e partisë Socialiste Bullgare Kristijan Vigenin.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: