Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, ka bërë të ditur se bisedimet bërthamore me Iranin do të vazhdojnë këtë javë, pavarësisht dënimit të ekzekutimit të gazetarit disident Runollah Zam.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Borrell tha se bisedimet mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit, po ashtu të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), do të mbahen siç ishin planifikuar më parë.

“Për JCPAO-n, ne do të mbajmë takimin”, tha Borrell, në përgjigje të një pyetjeje nëse vendet evropiane do të anulojnë pjesëmarrjen e tyre për të protestuar ekzekutimin e gazetarit Runollah Zam.

Gazetari 42-vjeçar u akuzua për nxitje të dhunës gjatë protestave anti-qeveritare në vitin 2017.

Borrell tha se vendet anëtare të BE-së kanë vendosur të anulojnë pjesëmarrjen e tyre në Forumin e Biznesit Evropë-Iran, i cili ishte planifikuar të mbahet më 14-16 dhjetor.

“Vendet anëtare të BE-së vendosën të mos marrin pjesë dhe ky takim është anuluar. Kjo nuk do të ndodhë në rrethanat aktuale. Por unë nuk mendoj se duhet të ndryshojmë orarin dhe punën tonë në mënyrë që të mbajmë gjallë marrëveshjen JCPAO. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të”, tha Borrell.

Raundi tjetër i takimit për bisedime mbi JCPAO-n është planifikuar të mërkurën dhe ai do të mbahet përmes video-konferencës në nivelin e zv/ministrave të jashtëm dhe drejtorëve politikë.

Para takimit, vendet anëtare të BE-së dënuan me forcë ekzekutimin e gazetarit dhe kërkuan nga Teherani të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe të përmbahet nga kryerja e dënimeve të mëtejshme me vdekje.

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit dje thirri të dërguarit francezë dhe gjermanë për të protestuar ndaj dënimit të BE-së për ekzekutimin.

Gjermania dhe Franca kanë favorizuar prej kohësh një dialog më të ngushtë politik për të arritur një zgjidhje diplomatike të mosmarrëveshjes bërthamore me Iranin.

Pavarësisht vendimit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, në vitin 2018 për t’u tërhequr nga marrëveshja JCPAO, Gjermania dhe Franca vazhdimisht kanë theksuar angazhimin e tyre në marrëveshje dhe kërkuan nga Teherani që të kthehet në përputhje të plotë me marrëveshjen.

Irani filloi të shkurtojë angazhimet e saj në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 në shenjë hakmarrje për tërheqjen e njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshje.

Përveç Gjermanisë dhe Francës, edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe Rusia, janë nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore, e cila parashikon heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit në këmbim që Teherani të pranojë të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor në qëllime civile.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb