Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell ka bërë një deklaratë për mediat pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së ku ka kërkuar dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Duhet të hapim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para përfundimit të presidencës franceze, situata aktuale nuk është e qëndrueshme, është një dhuratë për Moskën”, shtoi ai.

Sa i përket paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, Borrell tha se “për fat të keq nuk është arritur asnjë marrëveshje për temën e embargos së naftës”.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së deklaroi se angazhimi ndaj Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm teksa ka informuar për diskutimet në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, ku merrnin pjesë dhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

“Folëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Diskutuam për rrugën e tyre drejt BE-së. Mirëpritëm zgjedhjet e tyre strategjike. Jo të gjitha vendet kishin të njëjtin mendim”, tha ai.

Duke u ndalur te politika e jashtme e këtyre vendeve, ai kërkoi që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa për Shqipërinë dhe vendet e tjera tha se politika e jashtme e tyre përputhet me atë të BE-së.

“Serbia nuk përputhet me politikën tonë të jashtme. Duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Të jesh neutral ndaj Rusisë është koncept i gabuar. Shqipëria përputhet me politikën tonë të jashtme. Mali i Zi gjithashtu dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Këto vende mund të kërcënohen më shumë nga Rusia
RMV e Shqipëria janë përcaktuar si vende jomiqësore. Edhe Kosova iu bashkua masave ndaj Rusisë. Edhe Bosnja iu bashkua masave ndaj Rusisë”, tha Borrell.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb