Në Bruksel është mbajtur takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare. Ballkani Perëndimor ishte temë, ndërsa shefat e diplomacive të vendeve të BE-së u dakorduan për një angazhim më aktiv në rajon.

Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, ka deklaruar se nuk do të shkojnë fare për pushim, para se të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi

Borrell deklaroi se takimi i parë pritet të mbahet para fundit të muajit qershor, siç edhe janë dakoruar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dialogu do të rifillojë para fundit të qershorit siç kemi rënë dakord me kryeministrin Kurti. Nuk ka lajme të reja. Që nga takimi i fundit që pata me Kurtin. Ata kanë nevojë për kohë për t’u përgatitur”, tha Borrell, në një konferencë për media, transmeton Klan Kosova.

Ai theksoi se duhet të ketë një takim për t’u ditur i gjithë informacioni i nevojshëm.

“Nuk mund të shkojmë në pushime, para se të rinisë dialogu. Ne duhet të kemi këtë takim. Shpresoj që ata të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm. Dhe shpresoj që të vijnë në Bruksel të përgatitur mirë”, shtoi ai.

Duhet përkujtuar që ka pak ditë prej kur kryeministri Kurti qëndroi për një vizitë zyrtare në Bruksel.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb