Senatori amerikan, Joe Manchin, një demokrat i moderuar, tek i cili Presidenti Joe Biden kishte varur shpresat për të miratuar një projektligj për investimet e brendshme prej 1.75 trilion dollarësh, tha të dielën se nuk do ta mbështeste paketën.

“Nuk mund të votoj në favor të këtij legjislacioni,” tha senatori Manchin gjatë një interviste në programin “Fox News Sunday”, duke përmendur shqetësimet për inflacionin.

Në një deklaratë të lëshuar pas intervistës në Fox News, zoti Manchin tha se rritja e borxhit të Shteteve të Bashkuara do të “pengonte në mënyrë drastike” aftësinë e vendit për t’iu përgjigjur pandemisë së koronavirusit dhe kërcënimeve gjeopolitike.

“Kolegët e mi demokratë në Uashington janë të vendosur ta transformojnë në mënyrë dramatike shoqërinë tonë në një mënyrë që e lë vendin tonë edhe më të ekspozuar ndaj kërcënimeve me të cilat përballemi,” tha ai në deklaratë.

“Unë nuk mund ta marr përsipër rrezikun që paraqet një borxh marramendës prej më shumë se 29 trilion dollarësh dhe taksat e inflacionit që janë reale dhe të dëmshme për çdo amerikan” të thjeshtë, tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha se ligjvënësi javën e kaluar kishte ofruar një kornizë për një kompromis mbi legjislacionin dhe kishte “premtuar të vazhdonte bisedimet në ditët në vijim dhe të punonte me ne për të arritur në një emërues të përbashkët.”

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha në një deklaratë se nëse komentet e senatorit Manchin “tregojnë fundin e kësaj përpjekjeje, ato përfaqësojnë një ndryshim të papritur dhe të pashpjegueshëm të pozicionit e tij dhe një shkelje të angazhimeve të tij ndaj Presidentit dhe kolegëve të senatorit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.”

Ajo hodhi poshtë pretendimet e zotit Manchin se legjislacioni do të rriste çmimet e mallrave të konsumit në Shtetet e Bashkuara, më të lartat në gati katër dekada, ose se do të rriste borxhin afatgjatë të vendit, që aktualisht është mbi 29 trilion dollarë, sepse shpenzimet e reja do të mbuloheshin përmes rritjes së taksave për korporatat dhe individët e pasur.

Komentet e senatorit shkaktuan zemërim të menjëhershëm tek demokratët liberalë dhe tek senatori Bernie Sanders, i cili ndihmoi në hartimin e projektligjit dhe bëri thirrje për një votim të tij pavarësisht kundërshtimit të zotit Manchin.

Zoti Sanders tha se Manchin “nuk ka guxim” që t’u dalë kundër interesave të veçanta të biznesit që do të ndikoheshin më shumë nga legjislacioni.

Ai tha në emisionin “State of the Union” të CNN-it se dëshiron që Senati të votojë për masën gjithsesi, edhe nëse ajo shkon drejt humbjes, për ta detyruar zotin Manchin të japë llogari publike për votën e tij.

“Atij do t’i duhet të japë shumë shpjegime banorëve të Virxhinias Perëndimore,” tha zoti Sanders.

Senatori Manchin ka qenë një nga pengesat kryesore për planin e Shtëpisë së Bardhë që synon të forcojë rrjetin e sigurisë sociale dhe të luftojë ndryshimet klimatike dhe është pjesa qendrore e programit legjislativ të zotit Biden.

Mbështetja e zotit Manchin është jetike në kushtet kur demokratët kanë epërsi fare të ngushtë në Senat dhe republikanët janë të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit.

Demokratët kishin shpresuar ta miratonin projekt-ligjin me 51 vota pro dhe 50 kundër përpara Krishtlindjeve, duke e siguruar shumicën me votën e nënpresidentes Kamala Harris. Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar një version të projektligjit.

Por edhe nëse senatori i Virxhinias Perëndimore do të ishte bindur ta mbështeste projektligjin, Shtëpia e Bardhë do të duhej të bindte senatoren Kyrsten Sinema, një tjetër demokrate e moderuar që nuk është zotuar ta mbështesë atë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb