Stoku i borxhit publik shënoi një rritje të shpejtë në tremujorin e tretë të vitit duke arritur në 69.11 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 66.82 % që ishte në fund të 6 -mujorit. Për tre muaj stoku i borxhit është shtuar me 2,3 pikë përqindje të PPB-së sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Në fund të muajit shtator 2017 borxhi i Qeverisjes Qendrore vlerësohet në vlerën 1,074.9 miliard Lek ose 69.11% e PBB6 .

Në muajt e fundit të vitit stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do rritet.

Në terma nominal stoku i borxhit të Qeverisjes Qendrore është rritur me rreth 9.2 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2016, nga të cilat 13.4 miliard Lek i korrespondojnë rritjes së borxhit të brendshëm dhe -4.3 miliard Lek borxhit të jashtëm.

Ministria e Financave sqaron se, borxhi i jashtëm paraqitet me rënie kryesisht për shkak të mbiçmimit monedhës vendase në raport me monedhën euro.

Ministria e Financave sqaron se , rritja e borxhit në terma nominal është brenda kufijve të parashikuara në ligjin vjetor të buxhetit dhe në përputhje me objektivat afatmesme makrofiskale për uljen e nivelit të borxhit në raport me PBB.

Duke iu referuar deficitit buxhetor të planifikuar, parashikimeve të rritjes ekonomike dhe supozimeve të kursit të këmbimit, në fund të vitit 2017 borxhi i Qeverisjes Qendore në raport me PBB pritet të ulet me rreth 2.5 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar, duke vazhduar tendencën rënëse, e cila ka nisur që në vitin 2016.

Vitin e kaluar treguesi i borxhit sipas qeverisë shqiptare ishte 72.36 % dhe sipas pritshmërive të fundit pritet të arrijë në fund të vitit në 69.86 % të PBB-së.

Ndonëse në trajektore ulëse borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria.

Eurostat raportoi se në fund të tremujorit të parë të vitit 2017, borxhi i qeverisë ndaj PBB-së në zonën e euros (19 vende) qëndroi në 89.5%, krahasuar me 89.2% në fund të tremujorit të katërt të vitit 2016. Ndërsa në 28 vendet anëtarë të BE, raporti i borxhit është rritur nga 83.6% në 84.1%.

Borxh më të ulët se Shqipëria kanë vende të tilla si Estonia me 9.9% të PBB-së, Luksemburgu me 21.9% të PBB-së, Bullgaria me 29% të PBB-së, Danimarka me 39.4% të PBB-së, Rumania me 37.1% të PBB-së, Lituania me 39% të PBB-së, Lituania 39.3%, Republika Ceke 39.9%, Suedia me 41%, Sllovakia 53.5%, Polonia 54.0%, Malta me 59.0% etj.

Vendet me detyrimet më të larta në mesin e BE vijojnë të jenë Greqia me 176% të PBB-se, Italia me 132%, Portugalia me 130%, Belgjika me 107%, Qipro me 107 %, Spanja me 100 të PBB-së, Franca me 98% të PBB, Britania e Madhe 88%, Kroacia me 86.4% të PBB-së etj. /Monitor/

tabelaa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb