Në Bosnjë-Hercegovinë nisi këtë të premte, Marshimi i Paqes, në përkujtim të 11 korrikut, i cili shënjon gjenocidin e Srebrenicës, ku forcat serbe masakruan mijëra boshnjakë në vitin 1995.
Gjatë tri ditëve të ardhshme, pjesëmarrësit do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kanë kaluar në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.
Pas një rrugëtimi prej 110 kilometrash, familjarët dhe të afërmit e viktimave do të mbërrijnë në Potoçari më 10 korrik, ku një ditë më vonë do të marrin pjesë në varrimin kolektiv të 50 viktimave të gjenocidit në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.

Në mesin e pjesëmarrësve të Marshit të Paqes 2022, janë nënkryetarja e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Melika Mahmutbegoviç, Kryeministri i Kantonit të Tuzlës Irfan Halilagić, Ministri i Çështjeve të Veteranëve Zoran Blagojeviq, si dhe anëtarë të Komitetit Organizativ në përkujtim të 27 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Duke qenë se këtë vit “Marshi i Paqes” përkon me Kurban Bajramin, në kampin e Lipjes do të mbahet edhe falja e Bajramit.
Rikujtojmë, se më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që kanë pasuar, ata kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa të mëdha të gjendura në pyjet përreth.
Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdon ende.
Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Europë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 70 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnjë, Ratko Mlladiç, shkruajnë mediat boshnjake.

(slobodnaevropa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb