BEOGRAD- Anëtarët e presidencës tripalëshe boshnjake dhe kryeministri serb, Alkesandar Vuçiç konfirmuan sot në Beograd vullnetin e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të punuar për një të ardhme të qëndrueshme në Ballkan.

Vizita e anëtarëve myslimanë, kroat dhe serb të presidencës boshnjake në Beograd u zhvillua 11 ditë pas incidentit, ku viktimë ishte Vuçiç, i cili u qëllua me gurë gjatë ceremonisë me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

“Ne kemi ardhur shumë shpejt në Beograd sepse dëshirojmë të kthejmë drejt një zhvillimi të fortë dhe dinamik rajonin tonë, ku ne jemi shumë të lidhur në një mënyrë apo tjetër. Ne do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar marrëdhëniet tona dhe ky është shkaku i pjesëmarrjes tonë sot në Beograd”, deklaroi anëtari mysliman i presidencës, Bakir Izetbegovic.

Vuçiç theksoi nga ana e tij se incidenti i ndodhur gjatë ceremonisë së 20-vjetorit të masakrës së Srebrenicës ishte harruar. “Do të kthehem drejt bashkëpunimit tonë për të ardhmen. Ajo që më ndodhi nuk është ndonjë gjë e madhe në raport me atë që ju ka ndodhur qytetarëve boshnjakë që kanë humbur të afërmit e tyre”, deklaroi ai.

Konflikti ndërkomunitar në Bosnje (1992-95) ka shkaktuar rreth 100 000 të vdekur. “Dora ime mbetet e shtrirë, unë nuk shikoj një armik tek Bakir Izetbegovic. Ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër vetëm të punojmë së bashku”, theksoi Vuçiç.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: