KOSOVE

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Bosnje e Hercegovinës për një takim në kuadër të CEFTA-s, sa i përket taksës 100 për qind ndaj mallrave të cilat importohen nga Serbisë dhe Bosnja e Hercegovina.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka konfirmuar takimin dhe ka thënë se kjo nuk do të thotë se taksa do të hiqet.

“Bosnje dhe Hercegovina ka paraqitur kërkesë për një takim mbi çështjet bilaterale në kuadër të CEFTA-s. Kosova i është përgjigjur në mënyrë pozitive dhe me gjasë ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës do të marrë pjesë në një takim në Bosnje në fund të janarit”, theksoi ajo.

Gashi tha se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës do t’i dëgjojmë kërkesat e zyrtarëve të Qeverisë së Bosnjës, por do “t’i mbrojmë qëndrimet dhe parimet e tona”.

“Pra, nuk ka të bëjë me negociatat për këtë çështje, por Kosova do të mbrojë pozitën e saj dhe parimet përse imponoi një tarifë të tillë. Kosova është e detyruar të respektojë këtë formë të komunikimit brenda CEFTA-s”, tha Donjeta Gashi.

Ndryshe Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirko Saroviq ka konfirmuar për mediat se pala kosovare, me kërkesë të Bosnjës ka pranuar negociatat bilaterale për “heqjen e tarifës prej 100 për qind të mallrave”.

Për taksën 100 për qind, sipas raportimeve të mediave do të jetë në Prishtinë, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor 2018, kishte vendosur fillimisht taksë prej 10 për qind, për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja, kurse më 21 nëntor e kishte ngritur në 100 për qind.

Sipas statistikave dëmet për Bosnjën nga taksa janë mbi 4.5 milionë euro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: