Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, teksa është shprehur nga selia blu se në Kuvendin Kombëtar të PD, të mbledhur nga Basha më 18 dhjetor, ishin të pranishëm edhe njerëz të botës së krimit.

Berisha e ka krahasuar Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit me një miting të organizuar nga Ramiz Alia në vitin 1991, ku sipas ish-kryeministrit, kishte mbledhur ekstremistë të majtë dhe enveristë të thekur për të mposhtur Partinë Demokratike, por që nuk e kishte arritur një gjë të tillë.

I pyetur nga gazetarët se pse nuk ja thotë në sy Bashës të gjitha këto, teksa kryedemokrati ndodhet në një sallë tjetër të selisë së PD, Berisha është shprehur se “Asgjë nuk mund të zëvendësojë dhe një njeri që është në dinajëll nuk ka vlerë as njoftimi me shkrim, por ne e bëjmë si detyrim ndaj 44 mijë anëtarëve që firmosën kundër tij”.

https://www.youtube.com/watch?v=aTwAlBt6js0

“Z. Brava sic e kam theksuar është peng i pashpresë. Pengu nuk kontrollon veten. Ai është i detyruar të deklarojë nga mëngjesi deri në darkë gënjeshtra. Jo vetëm kaq, por ai ato gënjeshtra fillon t’i besojë dhe kalon në dy stade, njëri quhet dinajll, tjetrin tjetër e ka Dostojevski, i cili thotë se “njeriu që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër largohet tmerrësisht nga specia homo sapiens”.

Komisioni ka vendosur të bëjë njoftim me shkrim. Asgjë nuk mund të zëvendësojë dhe një njeri që është në dinajëll nuk ka vlerë as njoftimi me shkrim, por ne e bëjmë si detyrim ndaj 44 mijë anëtarëve që firmosën kundër tij. E këshilloj të mos i lodhë njerëzit, t’i thërrasë kot, sepse i shkarkuar pa asnjë funksion, përveçse deputet në Kuvend, çdo fjalë e tij është e pavlerë. Ai që beson gënjeshtrat e tij degradon në mënyrë të pabesueshme dhe tjetërsohet si homo sapiens.

Anti-Kuvendi i peng-Bashës u thirr nga një forum antikushtetues, në këtë rast quhej statutin e partisë. Një Kryesi, e cila është absolutisht e instaluar në dhunim flagrant të ligjit të partisë, që kërkon që anëtarët e Kryesisë të zgjidhen me votë të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Unë kam dëgjuar ndonjë prej tyre të përdorë si argument se fajin e ka Saliu, broçkull, pasi sipas tyre, unë isha i pranishëm në mbledhje. Kjo është qesharake. Ata që kanë integritet si politikanë, e si njerëz, dhe që duan të tregojnë se janë brenda ligjit, japin menjëherë dorëheqjen nga ajo Kryesi.

Tani Kryesia është shkarkuar e tëra nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Se çfarë ishte anti-Kuvendi i 18 dhjetorit duhet ta dini që më kujtoi mjerisht një antimiting që më pati organizuar Ramiz Alia në vendlindjen time, më 10 janar 1991. Kishte mbledhur ca delinguent, ca ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, dhe mendoi se në këtë mënyrë do të mposhtte PD. 5004 delegatë ishin një imagjinatë e sëmurë, në një sallë ku kishte 1958 karrige. Tregoi dhe hollët ku gjendeshin delegatët, por aty maksimumi gjendeshin gjithsej 200 persona. Ai anti-Kuvend nuk kishte as kuorum, as thirrësit, sepse ishte i mbushur me familjarë. E keni parasysh ju, bota e krimit ishte e pranishme aty. Çdo ditë del në pah se është një kompleks i madh rrethanash që e kanë mbërthyer si gaforre peng Bashën dhe nuk e lëshojnë më”, deklaroi Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb