Xhani Infantino u zgjodh presidenti i ri i FIFA-s dhe tani është koha për të mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës.

45- vjeçari ka lobuar fort për një kampionat botëror me 40 skuadra dhe ka premtuar se në të ardhmen shumë skuadra që nuk kanë pasur kurrë mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës, tani kanë shansin e artë për të ëndërruar dhe, pse jo, për ta tentuar diçka të tillë.

Infantino gjithashtu do të ofrojë për çdo federatë 5 milionë dollarë në katër vjet, të cilat do të shërbejnë si investime për rritjen e futbollit në çdo cep të botës.

Nga këto projekte dhe plane që Infantino ka për të ardhmen, sigurisht që do të përfitojë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka shprehur hapur mbështetjen dhe votën për Infantinon.

Diçka të tillë e ka konfirmuar edhe Armand Duka, në një prononcim të bërë për “Supersport”. “Votën unë e kam deklaruar përpara Kongresit në një takim që kemi pasur me një pjesë të federatave të rajonit ku kemi deklaruar votën pro Infantinos.

E rëndësishme është që të sjellë për institucionin dhe, nëse institucioni shkon mirë dhe ne jemi pjesëtarë të këtij, kështu që patjetër kemi benefitet tona për futbollin shqiptar. Jam i sigurt që ato që ka thënë Xhani do t’i realizojë, sepse siç ka realizuar rritjen e të ardhurave në UEFA dhe rishpërndarjen për federatat, besoj se do t’i realizojë edhe në FIFA”, ka thënë Duka. Ai ka sqaruar se Kosova do të përfshihet në FIFA dhe UEFA brenda këtij viti.

Botëror me 40 ekipe

Kjo pritet të jetë risia e së ardhmes. Deri tani, Kupa e Botës është zhvilluar me 32 skuadra, ndërsa me Infantinon president do të shtohen edhe tetë skuadra të tjetra. Nga ky fakt mund të përfitojë sërish Kombëtarja shqiptare, e cila nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një kampionat botëror. Kuqezinjtë u kualifikuan për herë të parë në një Europian gjatë këtij sezoni, ndërkohë që u erdhi në ndihmë edhe plani i Platinisë për shtimin e skuadrave.

5 milionë dollarë

Xhani Infantino ka premtuar se një herë në katër vjet do të ofrojë 5 milionë dollarë për çdo federatë futbolli. Kjo vlerë monetare duhet të shfrytëzohet për rritjen e futbollit në çdo cep të botës dhe për investime të ndryshme në infrastrukturë.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: