Në një intervistë me gazetën franceze Le Figaro, Sheikh Thamer bin Hamad Al Thani, Zv. Drejtor i Çështjeve të Medias në Zyrën e Komunikimit të Qeverisë, deklaroi se thirrjet për bojkot të Botërorit 2022 në Katar ishin të bazuara në raporte mediatike dezinformuese. “Ata që bënë thirrje për bojkot, kanë injoruar përparimin e bërë nga Shteti i Katarit në reformimin e ligjeve të punës dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve emigrantë”. Ai tha se shumë federata futbolli, OJQ dhe grupe tifozësh e kanë kuptuar se bojkoti nuk është akt konstruktiv.

E ndërsa siguroi se Shteti i Katarit mbështet plotësisht futbollistët dhe shoqatat e futbollit që përdorin platformën e tyre për të promovuar të drejtat e njeriut, ai i cilësoi kritikat e disa prej tyre ndaj Kupës së Botës 2022 si të pasakta, pasi përparimi që ka bërë Katari në reformat e punës është i prekshëm, si dhe është treguar një anfazhim serioz nga Katari për ta vijuar këtë proces në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë intervistës, Sheikh Thamer bin Hammad sqaroi se raportet e medias që pretendonin se 6500 punëtorë kanë vdekur gjatë punës në ndërtimin e infrastrukturës së Botërorit, ishin sa mashtruese për publikun aq edhe “larg realitetit”.

Kjo shifër e raportuar për herë të parë nga The Guardian, përfshin të gjitha vdekjet e rezidentëve në Katar nga India, Sri Lanka, Pakistani dhe Nepali gjatë dhjetë viteve të fundit. Sidoqoftë, në kundërshtim me pretendimin e këtyre mediave, jo të gjithë këta njerëz punonin në vende ndërtimi. “Emigrantët nga këto vende përfshijnë studentë, të moshuar dhe punonjës të punësuar në zyra, dyqane, shkolla dhe spitale. Katari ka mbi 1.4 milion emigrantë nga këto vende. Vetëm 20 përqind e tyre janë të punësuar si punëtorë në sektorin e ndërtimit, që përbën më pak se 10 përqind të të gjitha vdekjeve midis 2014 dhe 2019”.

Gjithashtu, Shejkh Thamer bin Hamad Al Thani tha se zhvillimi më domethënës në reformimin e ligjeve të punës në Katar ishte heqja e sistemit të kafala-s. Me këtë zhvillim, punëtorëve nuk iu duhet më të marrin leje dalje për të lënë vendin, dhe janë në gjendje të ndryshojnë vendin e punës sipas dëshirës.

Ai theksoi se në mars 2021, Katari prezantoi pagën minimale të detyrueshme, që është përcaktimi i parë i këtij lloji në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe që garanton siguri financiare shtesë për çdo punëtor në Katar dhe familjet e tyre jashtë vendit.

Sa i përket shëndetit dhe sigurisë, z. Thamer bin Hamad tha se Shteti i Katarit i ka rritur ndjeshëm standardet. “Puna në mjediset e jashtme është e ndaluar gjatë orëve të nxehta të verës, ndërsa është futur një teknologji e re që i freskon punëtorët kur janë në terren. Po ashtu, janë ndërtuar godina moderne për akomodimin e punëtorëve në të gjithë vendin dhe janë zgjeruar kompetencat e inspektorëve të punës, për të monitoruar kushtet e punës dhe të akomodimit”.

Ai vuri në dukje se më shumë se 7,000 gjoba janë vendosur gjatë tremujorit të fundit të 2020 për shkeljet që nga ato të lehtat e deri tek ato më të rënda që dënohen me gjoba të larta dhe deri me burg. Tregu i punës në Katar është konsoliduar dhe shteti është duke e rishikuar në mënyrë të vazhdueshme legjislacionin e tij për të përmirësuar kushtet dhe të drejtat e punonjësve. “Ne kemi zgjatur marrëveshjen tonë me Organizatën Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë, e cila në vitin 2018 hapi një zyrë në Katar për të mbështetur programin tonë të reformës së punës” – shtoi ai.

Duke folur për mbrojtjen e punëtorëve emigrantë nga shfrytëzimi prej agjencive të punësimit, ai theksoi se tashmë Katari ka hapur qendrat e vizave në vendet e origjinës së punëtorëve, ku këta të fundit mund të nënshkruajnë kontratat e tyre dhe t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor para se të nisen, pa patur nevojë të ripërsërisin procedurën pas mbërritjes në Katar. Të gjitha kostot e punësimit dhe kostot e lidhura me të përballohen nga punëdhënësi.

“Gjatë pandemisë COVID-19, qeveria ishte në dispozicion të kompanive që të vazhdojnë të paguajnë pagat dhe qiratë për të gjithë punëtorët. Shteti i Katarit gjithashtu ka një sistem që siguron që pagat të paguhen plotësisht dhe në kohë”. Ky sistem kërkon nga kompanitë në Katar të hapin llogari bankare për punonjësit e tyre dhe të transferojnë në mënyrë elektronike pagat.

Nëse nuk paguhen, punëtorët mund të paraqesin një ankesë kundër punëdhënësit të tyre. Këto ankesa po hetohen nga Ministria e Zhvillimit Administrativ, Punës dhe Çështjeve Sociale. Në rast se nuk gjindet një zgjidhje miqësore, punëtori mund ta çojë çështjen në një gjykatë të posaçme e cila synon të zgjidhë problemin brenda tre javësh”, përfundoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb