Pas shumë vuajtjesh, fitorja e parë në Botërorin e Katarit për Argjentinën vjen sonte nga stadiumi Lusail. Triumf 2-0 ndaj Meksikës, sfidë e luftuar shumë, por në fund ia ka vlejtur.

Nuk ka nevojë për drama, edhe pse pas 45 minutave të para tifozët argjentinas krijuan iluzionet e një rezultati që askush s’do e donte.

Të besuarit e Scalonit nuk dolën dot në lojën e tyre, në pjesën e parë ritmi ishte i ulët dhe lojtarët argjentinas e kishin të vështirë të kuptoheshin në fushë mes tyre.

Gjithsesi, shkëndijat i dha Lionel Messi nga goditja e dënimit, por asgjë për t’u shqetësuar për meksikanët, pasi sfera nuk shkoi në rrjetë.

Gjërat ndryshojnë në pjesën e dytë dhe sfida zgjidhet nga njeriu që pritej më shumë. Ishte pikërisht Lionel Messi që me një goditje nga distanca me të majtën dërgoi topin pas shpinës së Ochoas. Një supergol, që në një moment të tillë, vlen shumë për Kombëtaren pretendente të Kupës së Botës.

Goli i sigurisë do vinte vonë nga lojtari i Benficës, Enzo Fernandes, gjuajtje kirurgjikale e tij. Me këtë rezultat, Argjentina është në vendin e dytë me 3 pikë, po aq sa ka Arabia Saudite e vendit të 3-të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb