Shqipëria ka bërë sot debutimin në Kampionatin Botëror të mundjes që po mbahet në Beograd.

Zelimkhan Abakarov e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer, teksa ka arritur që të fitojë tre duele, duke siguruar një vend për në gjysmëfinalet e stilit të lirë në peshat 57 kg.

Abakarov fillimisht mundi në kualifikuese kolumbianin Oscar Eduardo Trigreros me rezultatin 10-0. Më pas në raundin 1/8 likuidoi sërish 10-0 kubanin Reineri Andreu Ortega.

Në çerekfinale kaloi me sukses uzbekun Gulomjon Abdullaev me rezultatin 13-2. Abakarov tashmë do të ketë gjysmëfinalen ndaj serbit Stevan Andria Miçiç.

Kujtojmë se Shqipëria përfaqësohet në Botëror me dy sportistë, ku përveç Abakarovit, nesër do e ka radhën për të garuar Islam Dudaev, në peshat 61 kg në stilin e lirë.

Të dy mundësit janë me origjinë çeçene, ndërsa një vit më parë janë pajisur me pasaporta shqiptare dhe po përfaqësojnë me sukses flamurin tonë kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb