Është promovuar në Tiranë studimi  “Kadare një disidencë letrare” i Jean-Paul Champseix, doktor shkencash në letërsi. Zanafilla e këtij libri ishte Franca kur u përkthye së pari atje, romani “Dimri i vetmisë së madhe”.

Studiuesi tha se “Kur nisa te lexoja librin mendoja që është një libër brenda kornizave. Por në fakt, libri përshkruante një shoqëri të trishtuar, ku çiftet ishin të ndara, njerëzit nuk kuptoheshin e me shi të përhershëm. Portreti i Enver Hoxhës, më habiti. Kadare nuk e vë të flasë diktatorin. Ka një fjali të vetme që thotë ai. Kur erdha në Shqipëri, mësova dogmat e realizmit socialist dhe kuptova që Kadare i kishte përmbysur dogmat”.

Studiuesi francez tha se leximi i Kadaresë e bëri të kalojë përtej pasqyrës. Ai tha se te “Kamarja e turpit”, Ali Pasha është Enver Hoxha. Bashkim Shehu dhe Alda Bardhyli, çmuan studimin për raportin me letërsinë.

“Për të kuptuar duhet të vendosemi në kontekstin e tij që është një kontekst  politik i veçantë që ishte totalitarizmi shqiptar dhe tirania e realizmit socialist. Niset nga politika por mënyra se si ndërthur Kadarenë dhe instrumentet e tij letrare me komentet e veta, Zhan Poli, bën që të arrijë te ajo që është letërsia”, tha Bashkim Shehu.

Ndërsa Alda Bardhyli shtoi se “Disidencën letrare e shohim te vepra “Dimri i Vetmisë së madhe” një vepër monumentale ku për herë të parë një shkrimtar i ish bllokut të lindjes përballet me diktatorin e tij”.

Studimi i francezit është konkurrent për çmimin e Akademisë së Shkencave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb