TIRANE– Studjuesi dhe gazetari Ardit Bido ka botuar librin e tij “Kisha Ortodokse Shqiptare, një Histori Politike 1878-1937” me parathënie nga Prof.Dr.Ferit Duka. Ky është një botim i nisur 3 vite më parë dhe bazohet në arkivat shqiptare dhe në arkivat greke. Libri është promovuar para publikut, ku autori Ardit Bido ka vënë theksin tek historia e Kishës Ortodokse dhe ndërhyrjet e shpeshta që ka bërë shteti grek.

“Libri trajton një histori deri në vitin 1937, mirëpo në të do të shohim se ka shumë përafërsi të së djeshmes dhe të së sotmes. Do të shohim në këtë libër se si Greqia tentonte që të fuste njerëzit e saj në Sinodin e Shenjtë të Kishës, sidomos për dy qarqet Gjirokastër dhe Korçë. Do të shohim se si tentonte të krijone një gjyq kishtar me shumicë të emëruar nga patriakana, që fatëkeqësisht u realizua vetëm para një muaji. Se si kur ndodhnin histori patriotizmi shqiptare, reagimi i parë i shtetit grek ishte mbyllja e kufijëve, siç na ndodhi 3 vite më parë në Përmet. Se si tentonte që të hapte sa më shumë shkolla greke, nën maskën e kishës ç’ka fatkeqësisht mund të them se ndodhen sot. Se si drejtuesit kishtar të huaj pretendonin, shtireshin se nuk dinin të flisnin dhe të predikonin në shqip. Se si tentonte të fuste përçarje ortodokse shteti grek mes komuniteteve fetare, por që në të gjitha rastet nuk ja arriti ta realizonte dot, falë një pune atdhetare të drejtuesve politik ortodoks të asaj kohe, si Koço Kota, Pandeli Evangjeli e të tjerë me radhë dhe falë klerikëve të asaj kohe”, u shpreh autori i librit Ardit Bido.

Gjatë prezantimit të librit ishin të pranishëm shumë studjues e historianë. Prof.Dr.Ferit Duka i cili ka udhëhequr punimin theksoi se libri do të shërbejë për shkencat politike, por edhe për historigrafinë.

“Punimi i doktoratës që paraqitet sot i botuar është një kontribut serioz në lëmin e studimeve historike, në lëmin e studimeve të shkencave politike, sepse është një qasje e kombinuar edhe historiografike edhe e shkencave politike. Ky libër ka të bëjë me një problem esencial kombëtar, siç është promblemi i Kishës Ortodokse, i historisë së saj dhe sidomos i kombëtarazimit, përpjekeve për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare”, u shpreh Prof.dr Ferit Duka.

Historianja Nevila Nika tha se komuniteti ortodoks nuk gjendet vetëm në dy qytete dhe ky libër do të ndihmojë shumë të rinjtë për të njohur historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare.

“Ky libër mua më ka lënë një shije jashtëzakonisht të mirë. Unë vet kam punuar me dokumente për historinë e komuniteteve fetare. Historinë e komuniteteve fetare tashmë e njohin të gjithë. Të gjithë flasin për prishjen e kishave dhe xhamive, por pasuria që ato ruanin brenda ishte dhe më e madhe se sa ndërtesa. Kë një përplasje shekullore me fqinjët tanë jugorë, verior dhe lindore. Nga të katër anët kemi pasur prombleme. Klerikët ortodoksë shqiptarë kanë ndihumar dhe kanë kontribuar në çështjen tonë kombëtare. Ajo që të rinjtë nuk dinë dhe që po mundohemi t’jua transmetojmë, është se komuniteti ortodoks nuk është vetëm në dy qytete, por shumë më gjerë”, tha Nevila Nika.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: