KUVAJT- Ambasada shqiptare në Kuvajt, në bashkëpunim me shoqatën humanitare Al Najat Society dhe kompaninë “Albatross Media” të drejtuar nga një grup shqiptarësh në Kuvajt, kanë bërë të mundur botimin në arabisht të Manualit për të bërë biznes në Shqipëri.

Kompania mediatike ka marrë përsipër përkthimin në arabisht ndërsa Al-Najat Society, një shoqatë e njohur në Kuvajt për ndihmë humanitare ashtu dhe për rritje kapacitetesh me ofrim kursesh kualifikimi e trajnime të ndryshme, ka mbuluar kostot e botimit të 4000 kopjeve të këtij manuali.

Po kjo kompani do të ndihmojë edhe për shpërndarjen e Manualit.

Gjatë një ceremonie të organizuar në ambjentet e Ambasadës së Shqipërisë në Kuvajt, ambasadori Kujtim Morina falenderoi Zv Drejtorin e Përgjithshëm të Al Najat Society, Jaber Al Wandah dhe Drejtorin Ekzekutiv, Fatjon Jonuzi për mbështetjen e tyre për këtë botim.

Më tej, në fjalën e tij, ambasadori Morina vlerësoi mbështetjen e shumë projekteve në Shqipëri nga kjo organizatë humanitare si dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen për promovimin e Shqipërisë në Kuvajt.

Dr. Jaber Al Wandah, shumë dashamirës me Shqipërinë, udhëton shpesh në vendin tonë dhe është gjithnjë mbështetës i projekteve të ndryshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë si dhe projekteve të zhvillimit gjithashtu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: