NGA FATMIRA NIKOLLI*

Gjatë janarit të vitit 2016 botuesit nuk kanë mundur të nxjerrin nga shtypi asnjë titull të ri. Agjencia e ISBN pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë nuk ka dhënë asnjë numër ISBN-je çka çon rrjedhimisht në bllokimin e botimeve. Këtë vit, për të marrë ISBN-në ka një ndryshim: BK, bën me dije se dhënia e ISBN-së (kod unik për çdo libër) për çdo botim do të shoqërohet edhe me dhënien e CIP-it (katalogimi i librit në botim) procedurë që më herët bëhej pas botimit, ndërsa tani duhet bërë para dhe duhet të jetë pjesë e librit.
CIP-i (katalogimi në botim), sipas BKSH-ja është një praktikë ndërkombëtare, detyrim ligjor i BKSH-së që rrjedh nga ligjet dhe nënkupton pajisjen e librit me: përshkrimin bibliografik, klasifikimin. fjalët kyçe, ISBN etj.

BOTUESIT
Shoqata e Botuesve fajëson Bibliotekën Kombëtare dhe Ministrinë e Kulturës për këtë bllokim, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë të pezullojë veprimtarinë botuese në Shqipëri dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë pezullime apo ndryshime pa njoftuar qysh më parë dhe duke e cilësuar situatën të rëndë dhe të paprecedentë. “Agjencia e ISBN pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë është urdhëruar të mos japë asnjë numër ISBN për vitin 2016. Për BK dhe Ministrinë e Kulturës jemi akoma në vitin 2015! Më datë 5 janar punonjësja e Agjencisë së ISBN na informoi se do fillonin punën më datë 8 janar, meqenëse ishte e mbyllur Zyra e ISBN në Londër; më 8 janar na thanë që presin urdhër për të filluar nga puna sepse është bllokuar nga Ministria e Kulturës”, thonë botuesit.

Mbas dy shkresave në datë 5 dhe 8 janar, më 11 janar në mbrëmje agjencia e ISBN ka shpërndarë një njoftim që botuesit e kanë lexuar si një njoftim që lajmëron se do të bëhen disa ndryshime ligjore nga Ministria apo Biblioteka Kombëtare. Mbi këtë pikë, botuesit kundërshtojnë ndryshimet që sipas tyre nuk duhen bërë pa biseduar tre apo katër muaj më parë, pasi janë ndërhyrje që ndikojnë në punën e pavarur të subjekteve që zhvillojnë veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë.

“Kemi propozuar mënyra më të thjeshta dhe profesionale që ndihmojnë punën e agjencisë, pa shtuar kostot, por nuk kemi marrë përgjigje. Sipas Ligjit të Librit dhe Ligjit për Bibliotekat janë të përcaktuara rregullat dhe mënyrat se si funksionon Agjencia e ISBN. Midis të tjerash në njoftim lexojmë që për të marrë numrin e ISBN, duhet dorëzuar kopja e librit në letër ose në format elektronik!”, thotë Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Ajo sqaron se kjo kërkon kohë dhe shton koston ekonomike, sepse “do duhet sipas kësaj risie të printohet çdo libër (qoftë ai me 60 apo 2000 faqe, ose t’ia japim gati për t’u piratuar në format elektronik). Kjo shkel edhe privatësinë dhe konfidencialitetin e punës botuese”. Në fund, botuesit shprehen se nuk duhet të dorëzojnë materiale të pabotuara në zyrat e BK, pasi “mjafton dhe është i tepërt madje përvetësimi me ndihmën e ligjit i 5 kopjeve pa pagesë, të cilin do luftojmë ta ndryshojmë”.

REAGIMI I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE
Mbas njoftimit të SHBSH (Shoqata e Botuesve Shqiptarë) “Gazeta Shqiptare” i ka kërkuar një reagim Bibliotekës Kombëtare (BK), ku gjendet Agjencia e ISBN-së. Në reagimin e saj, BK shpërndan njoftimin që u kish nisur më herët botuesve dhe hedh poshtë pretendimet e tyre.

Letra e datës 8 janar (që BK u nis botuesve) thotë se “Agjencia e ISBN-së do ta ofrojë shërbimin e saj për të lidhur kontratat e përvitshme, me qëllim pajisjen në vijim me ISBN dhe CIP, duke filluar nga data 18 janar e në vijim sipas orarit zyrtar të shërbimeve 8:00 deri 16:00, nga e hëna në të premten. Kjo shtyrje, për të cilën kërkojmë edhe mirëkuptimin tuaj, lidhet me disa përmirësime ligjore në dokumentacion, gjë që e tejkalon kompetencën e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”.

Në të njëjtën letër, BK bën me dije se këtë vit dhënia e ISBN-së për çdo botim do të shoqërohet edhe me dhënien e CIP-it (katalogimi i librit në botim), duke cituar ligjin e viti 2000 “Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, i cili shprehet se Biblioteka Kombëtare “Kryen katalogimin e librit për botim”. Sipas nenit 21, gërma “j” të Ligjit nr, 9616, dt.27.09.2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili shprehet: “Në çdo botim të botuar dhe të shtypshkruar në Republikën e Shqipërisë duhet të shënohen dëftuesit e mëposhtëm:….j) katalogimi në botim (CIP)…”.
BK shton në fund se për t’u pajisur në mënyrë të njëkohshme me CIP dhe me ISBN, botuesit duhet të paraqesin paraprakisht një kopje të materialit për botimin të printuar ose në format elektronik pranë agjencisë së ISBN-së.

Bashkangjitur kësaj letre, pas kërkesës së ‘GSH’, Biblioteka Kombëtare shton se ligjet nuk kanë ndryshuar, janë të vitit 2000 dhe 2006. “Këtu bëhet fjalë për një përditësim të dokumentacionit (kontrata dhe formulari tip), pra jo të ligjit të sipërcituar, por të shkresave zyrtare që ndërtojnë marrëdhënien mes Agjencisë së ISBN-së dhe botuesve”, thotë, duke shtuar se nuk rezulton të jetë depozituar në sekretarinë e BKSH-së, asnjë ankesë ose kërkesë për shpjegimin e njoftimit.

Meqenëse problemi i botuesve është CIP-i (katalogimi në botim), BKSH-ja thotë se CIP-i është një praktikë ndërkombëtare, detyrim ligjor i BKSH-së që rrjedh nga ligjet e sipërcituara dhe nënkupton pajisjen e librit me: përshkrimin bibliografik, klasifikimin, fjalët kyçe, ISBN etj., çka shërben dhe do të shërbejë edhe më fort për sistemin kombëtar, biblioteka e atë ndërkombëtar dhe premton se ky shërbim do të kryhet përsëri si edhe më parë në afatin kohor të 24 orëve.

Sa i takon shqetësimit për kopjen e materialit që duhet dhënë paraprakisht në BKSH, “ju sqarojmë së botuesve u është lënë e lirë zgjedhja mbi formatin mbi të cilin do të gjykohet përgatitja e CIP-i (katalogimit në botim) të printuar ose në format elektronik në PDF. Ky material është i domosdoshëm për realizimin e këtij detyrimi ligjor. Shërbimi brenda 24 orëve i përgatitjes dhe pajisjes me CIP shmang çfarëdolloj frike naive për gjoja piraterinë, çka është objekt i një ligji tjetër të Shtetit Shqiptar”.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: