TIRANE – Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, ka shpjeguar sot me detaje, sesi do të përdoret buxheti i bashkisë për vitin 2015, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që u zhvillua mbrëmjen e së martës.

“Shtyllat kryesore në të cilat është mbështetur hartimi i buxhetit afatmesëm, – tha Bozdo në fjalën e tij, -janë zhvillimi ekonomik i qytetit, nxitja e punësimit, e sipërmarrjes, ndërtimi i veprave të mëdha publike, ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët, ofrimi i mbështetjes së shtresave në nevojë dhe mbrojtja e konsumatorit.

Gjithashtu, ky projekt që paraqesim sot mbështet ndërtimin e veprave të mëdha publike për qytetin e Tiranës, me mbështetjen e donatorëve dhe partnerëve të rëndësishëm. Disa projekte të tilla janë; zgjatimi i bulevardit kryesor dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, terminali multimodal i Tiranës, menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve për qytetin e Tiranës.

Për vitin 2015 të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë parashikuar që të jenë 1.6% më të larta se parashikimi i vitit 2014, dhe për vitin 2016, 2017 kemi rritje përafërsisht me 1.8% dhe 1.9%, kundrejt viteve respektive.

Këto parashikime mbështeten nga llogaritjet e përgjithshme, të cilat janë të lidhura ngushtë me masat që do të merren në mënyrë frekuente nga administrata tatimore në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të Bashkisë, por edhe jashtë saj për realizimin e parashikimeve të pretenduara në të ardhmen.

Parashikimi i të ardhurave në këtë periudhë afatmesëm reflekton edhe ndryshimet në paketën fiskale si dhe parashikon rritjen e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, duke forcuar kapacitetet administrative dhe duke rritur numrin e taksapaguesve.

Në këto parashikime janë marrë në konsideratë rritja e të ardhura nëpërmjet rritjes së bazës së taksapaguesve dhe duke ulur evazionin fiskal. Evidentimi i subjekteve mospaguese dhe atyre të rejave, përbën punën e përditshme të administratës tatimore të Bashkisë. Realizimi i të ardhurave nëpërmjet një analize të shumë aktorëve që kanë ndikuar në rritjen apo pakësimin e arkëtimeve.

Në strukturën e të ardhurave për vitin 2015-2017 unë do të përqendrohem në strukturën e të ardhurave për vitin 2015.
Janë parashikuar të ardhura tatimore 5 miliardë e 34 milionë e 282 mijë lekë.
Janë parashikuar të ardhura jotatimore 2 miliardë e 242 milionë e 21 mijë lekë.
Janë parashikuar të ardhura nga transferta e pakushtëzuar 1 miliardë e 115 milionë e 174 mijë lekë.
Të ardhura të trashëguara 250 mijë lekë.
Në total 8 miliardë e 542 milionë dhe 156 mijë lekë.

Për sa i përket shpenzimeve të përgjithshme të Bashkisë së Tiranës në periudhën 2015-2017, në të gjitha funksionet, parashikohen në masën 8 miliardë e 542 milionë e 156,396 mijë lekë dhe rriten në mënyrë respektive me 5, 2 dhe 1% në vitet në vijim, sipas planifikimit buxhetor afatmesëm.

Politikat e Bashkisë së Tiranës në planifikimin dhe menaxhimin e shpenzimeve në programin buxhetor synojnë reduktimin e shpenzimeve administrative në favor të fondeve për shërbimin ndaj qytetarëve, transparencën e punëve publike, rritjen e eficencës në administrimin e fondeve dhe rritjen e fondeve të investimeve kundrejt shpenzimeve korente, progresivisht çdo vit.

Në periudhën afatmesme raporti mes shpenzimeve korente dhe atyre kapitale është respektivisht në masën 60% me 40% për vitin 2015, dhe parashikohet i njëjti raport, pra 60% me 40% edhe për vitin 2016, 2017. Sikurse vërehet synohet rritja e këtij raporti në favor të investimeve publike.

Mesatarisht për 3 vjeçarin e parashikimit, pesha dhe shpenzimet kryesore janë:
Shpenzime personeli 25%, këto shpenzime parashikohen të jenë 26% për vitin 2016-201.7
Shpenzime operative 35% dhe parashikohen të jenë të njëjta edhe për vitin 2016-2017.
Investimet 40% dhe parashikohen në të njëjtin nivel për vitin 2015, 2016-2017 dhe njësitë bashkiake 5%.
Projekt-buxheti shpaloset nëpërmjet këtyre programeve kryesore dhe unë do të përqendrohesha në disa vërtet të rëndësishme që mendoj që qytetarët e Tiranës duhet të njoftohen dhe Këshilli Bashkiak në të njëjtën kohë.

Rrugët dhe transporti publik, një prej programeve kryesore, investimet brenda këtij programi synojnë gjithmonë përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë qytetin dhe përbëjnë 29% të buxhetit të investimeve të Bashkisë së Tiranës për periudhën 2015-2017.

Ndërhyrjet do të sigurojnë rehabilitimin e 95 km të rrjetit urban rrugor kryesor dytësor dhe lokal. Rikonstruksioni i 69 km të rrjetit rrugor urban dytësor dhe lokal. Ndërtim dhe përmirësim i rreth 162 km trotuare në të gjithë rrjetin rrugor. 18850 pemë të reja dhe ndërtimi 68 km rrjetit inxhinierike të kanaleve të ujërave zeza dhe ujërave të bardha, në rrugë të reja.

Programi i dytë, ka të bëjë me programin e shërbimeve publike vendore që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës në blloqet e banimit. Ky program përbën 22% të buxhetit të investimeve të Bashkisë së Tiranës për vitin 2015-2017.
Ndërhyrjet do të sigurojnë rehabilitimin dhe rikonstruksionin e 82.5 km rrugë nëpërmjet blloqet e banimit.

Ndërtimin dhe përmirësimin e 128 mijë m² sipërfaqe të gjelbra dhe mjedise çlodhëse.
Ndërtimin e 9 këndeve të reja sportive. Krijimin e rreth 10 mijë m² hapësira për parkim shtesë.
Ndërtimin e kolektorëve për ujërat e zeza me gjatësi prej 3.5 km.

Arsimi parauniversitar është një tjetër program i rëndësishëm. Investimet brenda këtij programi synojnë përmirësimin e infrastrukturës arsimore për mjediset ndihmëse dhe rekreative në të gjithë objektet arsimore do të përbëjnë 21% të buxhetit të investimeve për Bashkinë Tiranë për vitin 2015-2017.
Do të realizohet rikonstruksioni i 6 kopshteve.
Ndërtimi i 5 kopshteve të rinj.
Rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare.
Ndërtimi i 3 shkollave të reja 9-vjeçare.
Rikonstruksioni i 2 shkollave të mesme.
Ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme.
Shtimi i 34 laboratorëve të rinj në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës.
Nga këto ndërhyrje do të përfitojnë 13600 nxënës të shkollave 9-vjeçare, 2100 nxënës të shkollave të mesme, 1250 fëmijë të kopshteve.

Programi i kujdesit social që është gjithashtu një prioritet, synon përmirësimin e infrastrukturës të qytetit sipas standardeve bashkëkohore.
Do të realizohet ndërtimi i 3 çerdheve të reja.
Rikonstruksioni i 5 çerdheve ekzistuese.
Ndërtimi i 5 kopshteve-çerdheve të integruara.

Nga këto ndërhyrje do të përfitojnë fëmijët e çerdheve ekzistuese dhe të rinj.
Prezantimi i shkurtër i projekt-buxhetit afatmesëm 2015-2017 dhe buxheti 2015 sjell në vëmendjen tuaj rëndësinë shumë të madhe që ka ky dokument për mbarëvajtjen e punëve në qytetin e Tiranës, për rritjen e cilësisë së jetës, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me interesat legjitime të qytetarëve të Tiranës,” – përfundoi nënkryetari i Bashkisë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb