Edhe pse opozita edhe këtë të enjte ka bojkotuar seancën plenare, në mungesë të saj, zërin kritik në parlament e ka bërë deputeti socialist Erion Brace. Në nisje të seancës Brace u shpreh se prej javësh kërkon interpelancë me ministrin Ahmetaj në lidhje me ligjin e sportit.

“Prej pesë javësh kam kërkuar një interpelancë ministrit të financave. Ligji e parashikon qartë se ministri duhet që të përgjigjet brenda tre javëve. Pra kanë kaluar dy javë nga afati dhe ministri ende nuk përgjigjet, po e përsëris është neni 80 i kushtetutës, dhe jo neni 80 i dëshirave të mia.  Nëse unë e kam seriozisht punën time duke komunikuar me shkresa me ministrin, ai nuk e mendon njësoj duke u tallur me kërkesat e mia serioze”, theksoi Braçe.

Kërkesës së socialistit Brace, iu përgjigj kryeparlamentari Gramoz Ruci i cili mori ‘në mbrojtje’ ministrin Ahmetaj. Ruci tha se interpelanca me ministrin e financave nuk eshte kryer për shkak të axhendës së tij jashtë vendit, duke iu referuar udhëtimit të Ahmetajt, një ditë më parë në Paris për eurobondin.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb