TIRANË – Nuk do të ketë çmim të energjisë elektrike mbi 10 lekë për kilovatorë, ka deklaruar sot, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, në një konferencë për shtyp, në të cilën ka publikuar shifrat e përmirësuara të projekt-buxhetit të vitit 2015 dhe ka kundërshtuar akuzat e opozitës.

“Berisha e mori energjinë me 4.5 lek/kWh nga ne dhe çoi në 7.7 lek dhe përtej saj, me 9 lek/kWh. – Ky është trendi i këtij “luftëtari” të madh me çmimin e energjisë elektrike, – tha Braçe. – Është e vërtetë se nuk e rriti çmimin e energjisë në 2012-2013, por nuk ua mori shqiptarëve paratë direkt në faturë, por përmes taksimit të përgjithshëm, duke e mbajtur kosto të drejtpërdrejtë në buxhet dhe duke rënduar mbi KESH-in.

Berisha e mori energjinë prej nesh me 4.5 lek për 250 kWh. E hoqi fashën në vitin 2006 dhe e bëri çmimin 7 lek/kWh. E riktheu fashën me 7.7lek/kWh dhe përtej saj, me 13.5 lek/kWh.

Kjo është e vërteta e çmimit të këtij njeriu, që e shkatërroi atë sistem, për të cilin ne sot po paguajmë këtë kosto.

Berisha gënjen kur thotë se çmimi do të shkojë në 12.5 lekë, por nuk do të ketë çmim mbi 10 lek/kWh,” – theksoi Braçe. – “ Për detajet, pyesni ERE-n, por unë ju them se ska asnjë arsye të bëhet mbi 10 lek/kWh.”

BARRA FISKALE, VETEM 18% NE 2 MILIARDE USD QE “INJEKTOHEN” NE EKONOMI

Me buxhetin e këtij viti si dhe të atij të vitit 2015, në ekonominë shqiptare do të “injektohen” 2 miliardë USD, ku e ashtuquajtura “barrë e shtuar fiskale” – siç e konsideron opozita – përbën vetëm 18%, – tha Braçe më tej.

cili bëri publike, para medias, të gjitha përmirësimet që iu bënë projekt-buxhetit të vitit 2015 gjatë shqyrtimeve në komisionet parlamentare.

“Llogaria kapitale, që është ajo e investimeve publike, – tha Braçe, – do të rritet deri në 800 mln USD, të cilët do të investohen direkt në sektorët jetikë të ekonomisë kombëtare. Por, kësaj shume i shtohen edhe 200 mln USD borxhe, të cilat ne do të vazhdojmë t’i shlyejmë. Deri në fund të 2015-ës, borxhi i shlyer do të arrijë në mbi 630 milionë USD dhe këtë duhet ta dëgjojë mirë opozita e sotme, që mban përgjeësi si ish-Qeveria dhe shqiptarët të kuptojnë kostot reale të asaj qeverie, që janë të detyruar t’i paguajnë sot.

Në total, për dy vitet, këtë aktual dhe atë që vjen, ajo që ata e quajnë barrë e stuar fiskale, është vetëm 18 % në 2 miliardë USD,” – theksoi ai.

PËRMIRËSIMET NË PROJEKTBUXHET
Braçe tha më tej se “në fund të shqyrtimit të fazës së dytë të projekt-buxhetit do të doja të bëja një përmbledhje dhe të tregoj edhe njëhërë tjetër të gjitha përmirësimet që u bënë në komisione.
Të ardhurat totale rriten 470 mln USD, rritje e fortë që pason rritjen e fortë të këtij viti.
Të ardhurat tatimore rriten me 410 mln USD; nga këto, 160 mln USD vijnë për shkak të taksave.
250 mln USD vijnë si pasojë e mirëadministrimit dhe rritjes ekonomike. Ne kemi arkëtuar dhe do të arkëtojmë 870 mln USD më shumë; nga këto, 360 mln USD i atribuohen taksave, kurse të tjerat ose kanë përfunduar nga xhepat e evazionit fiskal, ose kanë shkuar si ryfshet për administratën fiskale në vitet që kanë paraprirë qeverisjen tonë.

Gjatë vitit që po lëmë pas, në bazë të të cilit është dhe buxheti i 2015-ës, është shtrirë totalisht efekti i tatimit progresiv mbi pagat, gati 20 mln USD më pak të ardhura tatim nga pagat, që u ka shkuar direkt të punësuarve, pra është shtrirë i plotë efekti në 95% të pagave, e verifikuar kjo dhe nga raportimi në Komisonin e Ekonomisë nga Doganat dhe Tatimet.

Për vitin e ardhshëm, shpenzimet rriten vetëm më 180 mln USD më shumë.
1.6 miliardë USD reflektojnë reformën dhe rritjen e pensioneve, pagesat sociale, ato për ish-të përndjekurit etj.

Tre janë treguesit kryesorë
Defiçiti buxhetor ulet me 280 mln USD, pra ngushtohet; këtu ndikojnë borxhet e prapambetura;defiçiti primar ulet ndjeshëm në 90 mld USD; ulet nga 3.3% që është sot e GDP-së në 0.5%, që demostron përgjegjësinë fiskale në administrimin e të ardhurave.

Nëse sot kursimi publik me 20 mln USD kthehet në terma pozitivë, me këtë tregues qeveria demostron se nuk po abuzon me huamarrjen, po merr borxhe për investime dhe jo për të paguar paga. Pra, po kthejmë rritjen ekonomike, nga sivjet që presim 2%, në 3%.”

ar.sh/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: