TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka dënuar gjuhën e përdorur nga Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, kur nga Lezha deklaroi se ai do të armatosë popullin nëse policia nuk merr masa ndaj dhunuesve.

Braçe e krahason Metën me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili pak muaj më parë përmendi armët në parlament. Ai thotë se betimi i sotëm i Metës është akti më i rëndë që mund të konsumojë numri dy i shtetit në detyrë.

Braçe i del në mbrojtje Policisë së Shtetit, ndërsa thekson se sistemi ligjor është ai që duhet të funksionojë dhe kurrë, “nuk mund të jetë rilindja e mendjes, gjuhës se dhunës e forca e armëve, ngritur në sistem nga Sali Berisha, zgjidhje!”

STATUSI I BRAÇES
Gjuha e Sali Berishës është institucioni më kriminal në vend!
Betimi i sotëm i presidentit të zgjedhur se,
do të armatosë popullin e partisë që ndihet e sulmuar në fund të fushatës zgjedhore,
është i njëjti që Sali Berisha bëri muaj më parë në Kuvend!
Por në dallim nga Sali Berisha që sot është një deputet banal në Kuvend, rilindësi i gjuhës së tij të dhunshme, është presidenti i zgjedhur, kryetari në detyrë i Kuvendit!
Ndaj betimi i sotëm është akti më i rëndë që mund të konsumojë numri 2 i shtetit në detyrë!

I papranueshëm!
Gjithnjë nisur nga Kushtetuta e Republikës!
Më shume se kaq nuk mund të bëjë.
Dua ta them qartë;
Unë jam kundër e dënoj me forcë çdo akt dhune, jo vetëm me natyrë politike e jo vetëm në fushatë.
Por çdo akt i tillë,

Nuk mund të justifikojë sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Shtetit-institucionit apo betimin për të armatosur popullin e partisë, cilësdo parti, për t’u vetëmbrojtur, prej atij që pas një muaji do të jetë Presidenti i Republikës!

Për të dhe cilindo,
së pari e së fundi janë institucionet;
Prokuroria e Gjykata!
Çdo gjë tjetër është antiligjore, antikushtetuese!
Sistemi ligjor është ai që duhet të funksionojë,
për çdo rast, për këdo, pa përjashtim!

Kurrë, kurrë, nuk mund të jetë rilindja e mendjes, gjuhës se dhunës e forca e armëve, ngritur në sistem nga Sali Berisha, zgjidhje!
Nuk ishte në 21 janar, kur ishte qeveria e përbashkët “Berisha 2”, ndaj nuk ka asnjë shans të ketë serish një qeveri të përbashkët “Berisha 3” me këtë e çdolloj mendje!

Ky është fundi dhe po vjen shumë shpejt!
Për këdo nga ushtarët e dhunshëm të sistemeve Berisha!! Nga sot, prej pak më parë e në vijim;
U hodh e do konsolidohet shumë shpejt, hapi më i rëndësishëm drejt Vetting-ut të sistemit të Drejtësisë, thelbi i një të ardhmeje të re për çdo shqiptar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: