NGA DARINA TANUSHI

TIRANE- Deputeti socialist, Erjon Braçe duket se nuk është plotësisht i kënaqur me aq sa është bërë nga qeveria në luftën kundër korrupsionit. Në një status që ai publikoi dje në rrjetin social “Facebook”, duke bërë një “lojë fjalësh” shkroi: “‘KorrupsJOni’, kur bie në det me ‘mamuthë korrupsioni’, humbet atë që është jetike, besimin, dhe mund të bëhet edhe ‘KorrupsiONi’!” Në fakt, kjo nuk do të kuptohej si një pakënaqësi ndaj qeverisë, nëse vetë Braçe, i cili nuk i kursen kritikat kur i mendon, nuk do ta kishte sqaruar për një mikun e tij virtual. Një prej lexuesve e pyet se, “a nuk është detyrë e qeverisë ta luftojë me të gjitha format dhe mjetet që ka?”

Ndërsa Braçe i përgjigjet: “Po pra, ç’po them?!” Vetëm tri ditë më parë, kryeministri i vendit mori pjesë në një takim të përbashkët me Bankën e Shqipërisë si dhe me drejtues dhe përfaqësues të sistemit bankar në vend.

Në kuadër edhe të aksionit kundër informalitetit, Rama deklaroi në këtë takim se, “tani jemi në një fazë kyçe, ku kemi nevojë për një rritje të konsiderueshme të kreditimit dhe ku e konsiderojmë realisht një moment strategjikisht shumë të rëndësishëm për të ardhmen e afërt të ekonomisë, çlirimin e bankave nga kthetrat e korrupsionit të sistemit të drejtësisë”. Ndërkohë, nuk ka ndonjë rezultat se çfarë është bërë nga qeveria për zgjidhjen e rasteve, të cilat kanë ardhur në portalin online të hapur kohë më parë, “stopkorrupsionit.al”. Në këtë portal, ku fjala “korrupsion” është shkruar ashtu siç e shkruan Braçe, “Korrupsjon”, jepen vetëm pak raste të zgjidhura, në drejtësi, shëndetësi, energji, hipoteka, dogana etj.

Taksat
Deputeti socialist, Erjon Braçe është irrituar dje edhe nga protesta e opozitës në Shkodër. Në një tjetër status që shkroi në “Facebook”, ai shprehet: “‘Taksat falas’ të Jozefina biondes së Shkodrës! Kryetarja e re e Bashkisë së Shkodrës duhet të kuptojë se, nëse ajo ka vendosur që në territorin e bashkisë së saj, ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, duhet kryer biznes, pa u regjistruar, licencuar, paguar tatime e taksa, duhet të harrojë që pjesa tjetër e Shqipërisë të paguajë që ajo dhe bashkia e saj të funksionojë! Po të dojë, këtë mund ta quajë dhe antirevolucion!” “Kështu që, po ia grisim që tani atë parullën e tmerrshme që pashë të printuar: ‘Mashtrim për taksat falas’!

Injoranca në fakt nuk ka brirë! Por boll më, 20 vjet që s’paguajmë energjinë, s’paguajmë ujin, s’paguajmë tatime e taksa se pkështu na thotë partiap”, shkruan më tej Braçe. Njëri prej komentuesve i ka kujtuar Braçes që të mbajnë si qeveri premtimin për zero taksa për biznesin e vogël, premtim që e kanë bërë në 2013-ën, kur kërkuan votat. Po ky komentues shprehet se po terrorizohen biznesmenët. Braçe i përgjigjet: “S’ka thënë kush zero taksa për biznesin e vogël, e para.

E dyta, biznesi i vogël paguan veç 25 mijë lekë tatim në vit, 25 mijë lekë! Kurse këtë terrorizimin shko e tregoja kujt tjetër, se s’po shoh terror kund!” Një tjetër komentues i kërkon që të ndikojë për uljen e çmimit të kasave fiskale. “Thuaji kësaj Voltanës t’i thotë ndonjë fjalë Ridvanit, se prej tij keni peshqesh çmimet e kasave. Ne me ‘luftë’ i ulëm në 279 euro dhe më shumë ulëm tarifën e mirëmbajtjes, por këto janë kontratat e Sali revolucionarit”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: