NGA DARINA TANUSHI*

Deputeti socialist, Erjon Braçe deklaroi dje se, “nuk ka diskutim që partia kërkon riorganizim, mobilizim, përtëritje, përfshirje, zgjerim, pjesëmarrje, solidaritet, kujdes, debat, propozime, votim. As që e çoj në mendje në duhen mbledhur forumet apo jo”. Në një status të gjatë në “Facebook”, Braçe komentoi shkrimet e gazetave të djeshme, të cilat iu referuan asaj çfarë ai kishte shkruar një ditë më parë, si përgjigje ndaj Ben Blushit. “Nuk jam as krenarist e as kanabist, por jam socialist. Jam deputet dhe duhet të bëj punën time!”, shkroi Braçe një ditë më parë. Ndërsa dje ai sqaroi se këtë nuk e kishte thënë për të dalë kundër Ben Blushit. “Unë mendoj se çdokush ndër deputetët e PS-së, si çdo qytetar xhanëm, ka të drejtë të ketë mendimin e tij, ta shprehë atë lirisht, në forume e në publik. Duhet të jetë i lirë dhe i mbrojtur në këtë të drejtë, i pasulmuar dhe i parelativizuar. Por kjo vlen për të gjithë, nëse flasim për një grup parlamentar”, shkroi dje, Braçe. “Unë për vete nuk do ia lejoja kurrë vetes ta ndaja këtë grup qëllimisht, ta bëja dysh e pastaj të etiketoja për të sulmuar, shpërfillur, përçmuar, goditur, rrëzuar secilën prej dy gjysmave e çdokënd që kam listuar në to. Ta vendosja veten mbi kolegët e mi as që e çoj ndërmend”, shprehet Braçe. E në përgjigje të komenteve ndaj tij, Braçe shkruan: “Kjo nuk më bën ‘sehirist’, por të barabartë dhe etik në një familje si kjo ku bëj pjesë”. Braçe thekson se ai shkruan për zonën e tij, për të promovuar prodhimet e saj. “Nuk ka diskutim që partia kërkon riorganizim, mobilizim, përtëritje, përfshirje, zgjerim, pjesëmarrje, solidaritet, kujdes, debat, propozime, votim. As që e çoj në mendje në duhen mbledhur forumet apo jo. Ky duhet të jetë organizmi i një partie, i përditshëm. Dhe thënë këtë, po ua jap një përgjigje: Unë kurrë nuk do i lija shokët në mes të një beteje, s’e bëj dot, s’do ishte e drejtë, as e ndershme”, nënvizon Braçe në komentin e tij. “Këtë nuk e them sot, nuk kam asnjë arsye që të më lidhë me të sotmen. Kjo është parimore dhe këtë e kam thënë qysh herët. Nuk ka lidhje me luftën për pushtet edhe në parti (normale dhe nëpër parti), por me funksionimin e saj. As që më intereson e para, nuk është interesi im (nuk e kam bërë as në 2000-shin, kur partia u hap mu si sot, ndaj atyre që sot delegjitimojnë atë që u hapi rrugën vet atyre vite më parë)”, sqaroi deputeti i PS-së.
E MAJTA
Braçe thotë se i intereson e majta, ndërsa sqaroi: “Kur dje thashë se jam socialist, nuk e bëra për të sulmuar kënd. E bëra për t’ju ftuar në atë që përbën interes. Interes nga ky kënd, nga e majta është ekonomia”, u shpreh ai. Braçe i ka komentuar me radhë ato që ai i ka cilësuar si interesat e së majtës dhe që janë: Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, rritja e tij dhe përfitimi publik prej tij, taksimi, puna, arsimi, etj. “Kemi bërë edhe këtu shumë, kur gjithçka që kishte lidhje me edukimin ishte kthyer në biznes matrapazësh, shumica banale, që shkatërruan sistemin. Unë nuk e fsheh, jam tërësisht i interesuar për arsimin publik. Shkoj dhe më tej edhe pse ky është mendimi im personal, që vjen prej bindjeve të mia. Duhet të hedhim hapat e duhur për të mbuluar nga taksimi i përgjithshëm shkollimin e lartë të të rinjve”, shkroi dje Braçe. Ai shton se shëndetësia është një tjetër interes i së majtës, skema e solidaritetit social. Po kështu, shprehet ai është edhe korrupsioni. “Kam folur herët për këtë dhe ndarja e politikës nga biznesi është thelbi. Do bëj më shumë politikanë të flasin për sa më sipër, sepse çështjet e mësipërme prekin tërësisht interesa biznesi, ndaj debati shkon tek ‘kutia si ambalazh dhe ambalazhi si kuti'”, citon Braçe, thëniet e Blushit. “Dhe qeveria – tha Braçe dje – kurrë nuk e ka fshehur dëshirën, përpjekjen, veprimin në përballje me to!”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: