TIRANE- Rishikimi i marrëveshjes së koncesionit për skanimin e mallrave doganore me rishikim të tarifave solli dje debat mes ministrit të Financave, Cani dhe kreut të Komisionit të Ekonomisë, Braçe, shkruan Panorama. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i kërkoi Canit që pas dy vitesh të mbyllte hetimin e transaksioneve për transfertë aksionesh të kompanisë koncesionare të skanimit të mallrave që kalojnë në doganë.

Braçe bëri përgjegjës për nënshkrimin e kontratës koncesionare ish ministrin e Financave, Bode dhe kërkoi që ndaj tij të kryhet hetimi. Ministri i Financave tha se aktualisht është rishikuar kontrata dhe është në fazën e negociatave, çka pengon për gjetjen e shkelësve. Ai theksoi se hetimi nuk është lënë në harresë, por për kontratat ndërkombëtare duhej kohë.

Cani bëri të ditur se në rast se do të zbulojë shkelje, do të padisë ish ministrin e Financave. Debati u zhvillua dje kur në Komisionin e Ekonomisë po diskutohej marrëveshja e rinegociuar me kompaninë “Rapiscan”, që ofron shërbimin e skanimit në dogana. Marrëveshje, e cila u arrit pas ankesave nga ana e biznesit për pagesën e skanimit më shumë se një herë për një mall. Sipas ndryshimeve, çdo biznes duhet të paguajë deklaratën doganore prej 22 eurosh, nga 39 euro që ka qenë, ku përjashtohet biznesi fason dhe 9 kategori të tjera. Ministri i Financave tha se pas rinegocimit është arritur përjashtimi i 154 mijë deklaratave doganore. “Ndryshimet kryhen për të lehtësuar biznesin që të mos paguajë tarifën e shërbimit dy ose më shumë herë, në funksion të uljes së kostove të bizneseve importuese në vend. Biznesi ka ngritur shqetësim në lidhje me pagesën e tarifës së shërbimit të skanimit për disa deklarata doganore, të cilat duhet të jenë të përjashtuara, pasi konstatohen raste të pagesës së tarifës së shërbimit dy ose më shumë herë për të njëjtin mall, në varësi të deklaratave doganore që shoqërojnë vendosjen e këtij malli, në procedura të ndryshme doganore”, tha Cani.

Heqja e deklaratave doganore dhe ulja e tarifës së skanimit do të ketë një kosto financiare prej 4 milionë eurosh në vit që do të përballohet nga buxheti.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: