TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe nuk i ka kursyer akuzat ndaj opozitës në seancën e sotme parlamentare, ndërsa ka kërkuar që të kriminalizohet shpifja vetëm për deputetët. Braçe tha se është e turpshme që gjithsecili prej deputetëve bëhet çdo të enjte objekt i shpifjeve dhe shënjestër e bandave.

“I bashkohem kërkesës së qartë për të kriminalizuar shpifjen vetëm për deputetët, për ti kthyer legjitimitetin këtij parlamenti. Nuk mund të çohet këtu një deputet dhe të shpifë. Nuk e di se si e ndieni veten ju. Por është e turpshme dhe kriminale që gjithsecili bëhet objekt i shpifjeve kriminale dhe shënjestër e bandave çdo të enjte, siç është kthyer Ministri i Brendshëm prej asaj që ndodh në këtë sallë. E njëjta gjë duhet bërë edhe me gjuhën e urrejtjes. Është e pashembullt se si një njeri i vetëm bën akuza këtu”, tha Braçe, duke ju referuar ish-kryeministrit Berisha.

Duke u ndalur tek operacioni për energjinë elektrike, Braçe tha se janë 132 mijë shqiptarë që kanë lidhur akt-marrëveshje me OSHEE-në, duker mos ua vënë veshin thirrjeve të opozitës. “Ju ka ngelur vetëm tu bëni thirrje qytetarëve mos paguani energjinë. Unë nuk e kuptoj se në emër të kujt flisni. Kanë ndodhur disa raste fatkeqe në gjithë këtë histori. Por është e pashembullt se si qytetarët e Republikës së Shqipërisë nuk ju dëgjojnë që bëni thirrje që të mos paguani energjinë elektrike. Mbi 132 mijë shqiptarë kanë lidhur akt-marrëveshje me OSHEE-në. Në emër të kujt flisni ju, kur 132 mijë familje as ju dëgjojnë fare dhe shkojnë lidhin marrëveshje me një kompani që po përpiqet të rimëkëmbë sektorin e energjisë, që ju e katandisët kështu, për të cilën ju duhet të mbani përgjegjësi penale. Si nuk u bëri goja të falnit faturat e paligjshme të energjisë. Krijuat 7 kompani, ku 5 ishit tuaja dhe 2 të çekëve për ti mbledhur shqiptarëve lekëve. Si nuk u bëri goja të falnit kamatat. Keni kurajë e kërkoni llogari. Keni të drejtë, duhet të ishit para prokurorisë dhe jo këtu në kuvend”, tha ai.

Braçe përmendi edhe dy rastet e dhunës së policisë ndaj qytetarëve për të cilat tha se janë marrë masa të menjëhershme. “Njëherë nuk ju kam dëgjuar të flisni pro Policisë së Shtetit, ta inkurajoni, ti dilni zot, kur arrestohen seriale të tërë vrasës me pagesë. Njëherë të vetme nuk keni folur. Por përkundrazi ai burri juaj, që nuk është as burrë del atje dhe i del për zot çdo lloj krimineli që kapet nga policia. Ka dy raste të dhunës së policisë. Rasti i Kavajës, ka të bëjë me policinë që ishte në operacion për të kapur dy grabitës. 4 efektivë janë përjashtuar nga policia. Kë hoqët ju në 8 vjet.
Rasti i Korçës, u hoqën nga Policia e Shtetit 4 punonjës të policisë që kishin mbi 20 vite punë dhe u çuan për ndjekje penale. Po ju kë hoqët?
Mos u ndikoni nga zonja Jozefinë që thotë pse heshtni, ajo e ka me Lulin, ju heshtni. S’ka organ hetimi që merr përsipër krimet tuaja”, përfundoi deputeti socialist.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: